Një guidë turistike nga Nepali i quajtur Gelje Sherpa, ka gjetur rastësisht një alpinist nga Malajzia, i cili kishte mbetur në prag të vdekjes në një zonë tepër të rrezikshme në malin e Everestit.
Në lartësi afro 8500 metër mbi nivelin e detit, vendi i njohur si “zona e vdekjes” regjistron temperatura poshtë minus 30 gradëve celcius. Alpinisti kishte mbetur aty, i mbajtur pezull nga një litar dhe duke u dridhur nga të ftohtit, pa shpresa shpëtimi.
Fatmirësisht grupi nepalez ndërhyri dhe nisi një operacion të rrallë e tepër të rrezikshëm për shpëtimin e alpinistit, duke e zbritur nga mali brenda 6 orëve.
Një zyrtar i Nepalit, u shpreh se “është thuajse e pamundur të shpëtosh alpinistët në atë lartësi” dhe se ky rast “ishte një operacion tepër i rrallë”.
BBC ka publikuar momentet kur alpinisti gjendet në gjendje të rënduar shëndetësore.