Pamjet video, sherri me grushte që i mori jetën inxhinierit 55 vjeçar në Vlorë

Këto janë momentet kur Rei Meta e Armando Meshau janë përplasur me grushte mes tyre, ndërsa ky i fundit humbi jetën tragjikisht.

Ngjarja e rëndë ndodhi në Vlorë ditën e djeshme në ambientet e një qendre interneti në rrugën “Hajro Çakërri”. 33 vjeçari dhe i ndjeri njiheshin mes tyre dhe konflikti e ka origjinën në një çështje pronësie e borxhi. 55 vjeçari Meshau i kishte kërkuar Rei Metës (djali i njërës prej anëtareve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë) që ta ndihmonte për të ndërhyrë në një proces gjyqësor, ndërsa ai në këmbim do ta shpërblente financiarisht. 33 kishte pranuar dhe gjykata mandej kishte dhënë një vendim në favor të viktimës, në lidhje me një pronë në Vlorë.

Pas vendimit, Rei Meta i ka kërkuar të ndjerit shpërblimin e premtuar, por ky i fundit ka refuzuar me pretektstin se në gjykatë kishin ndërhyrë persona të tjerë dhe jo Meta. Debatet kanë vijuar mes dy personave për një kohë, ndërsa ditën e djeshme kulmuan në vdekjen e 55 vjeçarit. Të dy janë takuar pasi kishin rënë dakord për nënshkrimin e dokumenteve në një zyrë noteriale. Viktima fillimisht i ka kërkuar autorit që të shkojnë në qendër interneti, pasi do t’i duhej t’i printonte dokumentet që i kishte në një usb. Me të shkuar atje, i ndjeri i ka thënë se nuk e kishte usb-në e prej aty ka nisur sherri. Fillimisht 55 vjeçari e godet të riun me grusht, ndërsa ky i fundit më pas qëllon disa herë në fytyrë të ndjerin. 55 vjeçari më tutje përplas kokën në tavolinën e kompjuterit prapa tij.

Autori u largua nga vendi i ngjarjes dhe u arrestua disa orë më vonë po në Vloë. Para hetuesve ai u shpreh se nuk kishte dashur t’i merrte jetën 55 vjeçarit dhe se ngjarja ishte aksidentale.

Hetimet vijojnë për të hedhur dritë përsa i takon çështjes gjyqësore që lidhi në bashkëpunim dy personat si dhe verifikime të tjera.