“Para se të ikte, më la amanet 4 fëmijët” Historia prekëse e Beratit, shqiptarët bamirës e bëjnë me shtëpi të re

Kosovë, komuna e Gjilanit.

Gjithçka shkonte mirë për Beratin e Njomzën, prindër të 4 fëmijëve të mitur, derisa në derën e tyre trokiti një tragjedi e madhe.

“Më 2015 jam njohur me gruan time Njomzën, në 2017 bëmë martesën. Krijuam familje, një djalë e tre vajza. Djali i ka 6 vjeç, vajzat janë 5, 3 e 1vit e 8 muaj. Kemi qenë shumë të lumtur mes vete, çdo sfidë e kemi kaluar bashkë.

Gruaja e kishte patur hundën e thyer qëkur ishte fëmijë. Merrte frymë me vështirësi. E pati një ofertë një klinikë dhe ajo shkoi atje kreu operimin. Atje mësuam se ajo kishte tumor. Prej aty e dërguam në urgjencë. Qëndroi 6 javë në spital. Javën e fundit, para se me hy në intubim, u zgjua. Më pyeti për fëmijët. I thashë që janë mirë dhe kërkojnë nënën… më tha veçse të kujdesem për fëmijët e t’i bëj një banesë.

Gruaja ime vdiq më 26 qershor të 2024. Insha Allah është në xhenet. Unë kam mbetur me fëmijët, i vetëm dhe pa banesë. Për fëmijët do të kujdesem deri në frymën e fundit timen.”-thotë mes lotëve Berati.

Me ikjen e Njomzës nga kjo botë, Berati është plotësisht i shkatërruar. Ai nuk mundet të punojë rregullisht pasi i ka kryer tre operime në të dyja këmbët të cilat i ka thyer. Ai derdh lot trishtimi kur mendon sesi do t’ja dalë mbanë për të rritur fëmijët.

“Vështirë e kam patur jetën. Me punu nuk mundem, kam tre operime me të dyja këmbët e thyera. Jam me qera, me 4 fëmijë jetimë… (qan) Vajza më thotë që e sheh mamin, që mami i flet… (qan). Ata fëmijë janë ari për mua, drita e syve të mi. Ata janë amaneti jem, deri në frymën e fundit, kam me i rrit, me i shkollu me i mësu. Insha Allah do Zoti, me bamirës kudo janë, po më ndihmojnë që t’ja çoj amanetin gruas në vend.”-tregon Berati.

Emisioni “Për Shqiptarët” e përcolli historinë e dhimbshme të Beratit. Sidrit Bejleri u nis drejt Kosovës për të takuar Beratin dhe fëmijët e tij. Ky baba i vuajtur, ende nuk e di se një surprizë e madhe e pret, një gjest i madh dashurie nga shqiptarë zemërmirë.

Sidriti:O berat

Berati: Përshëndetje, si je vëlla?

Sidriti: Marshallah fëmijët. Berat, fatkeqësisht ty të ka ndodh një sprovë. E lehtë për me e thënë, por shumë e rëndë veçse për me e mendu. Me rrit i vetëm këto yje të vegjël, unë nuk di ç’të them mandej. Po dashtë Zoti fëmijët rriten dhe e kuptojnë sakrificën që po bën.

Sidriti: Unë të them pse u takuam këtu, pikërisht këtu. Unë po të them pikërisht këtu, sepse pas këtij pragu, amaneti i nuses tënde nuk është harruar. Nuk e kemi harruar ne dhe as ata që janë me ne. Unë kam ardhur të të gëzoj. Këto janë një palë çelësa, që amanetin e nuses tënde, Zoti e mëshiroftë, e bën realitet.

Berati mbushet me lot kur kupton se është bërë me shtëpi të re. Tanimë fëmijët e tij nuk do të rrezikojnë të mbeten në mes të katër rrugëve.

Sidriti: Berat, çfarë kishin në dorë shqiptarët e bënë për ty.

Berati: Faleminderit. Zoti ju shpërbleftë juve, shqiptarëve, fondacionit tuaj dhe Elvis Naçit.

Sidriti: Bëhu i fortë Berat. Ata që vunë dorën në zemër për ty, duan të të shohin mirë dhe të fortë për këta fëmijë.