Pas afro 3 vitesh orvatje, rikthehet në atdhe zemra e të ndjerit Saimir Sula

Pas thuajse tre vitesh orvatje nga ana e familjes, zemra e të ndjerit Saimir Sula, (i cili humbi jetën në spitalin ‘Del Mar’ në Barcelonë gjatë kohës së pandemisë), do të mund të prehet pranë trupit të tij.

Zemra e të ndjerit është dorëzuar nga Spanja tek autoritetet shqiptare. Ministria e Drejtësisë njoftoi se ka përfunduar tashmë procesi, i cili u nis nga motra e Saimirit.

Rasti  tërhoqi vëmendje të mbarë opinionit publik, kur familja Sula njoftoi e pikëlluar se trupi i të dashurit të tyre kishte mbërritur në atdhe pa zemër… Motra e Saimirit, Majlinda Sula, nisi një proces të gjatë e të vështirë për marrjen e zemrës së të vëllait, e tanimë më në fund, orvatja përfundoi.

“Ministria e Drejtësisë, Prokuroria e Tiranës dhe Prokuroria e Përgjithshme në bashkëpunim me autoritetet spanjolle të drejtësisë realizuan me sukses procesin e riatdhesimit të zemrës të të ndjerit z. Saimir Sula në datën 15 korrik 2023 pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore, Tiranë.

Me anë të kesaj deklarate të perbashkët, Ministria e Drejtësisë në cilësinë e koordinatorit të procesit, Prokuroria e Përgjithshme në cilësinë e autoritetit kompetent, në bashkëpunim me autoritetet spanjolle të drejtësisë informojnë mediat dhe opinionin publik se, ditën e sotme  ka përfunduar me sukses procesi për kthimin e zemrës të të ndjerit z. Saimir Sula në Shqipëri.

Më datë 12 korrik 2023 një grup përfaqësuesish nga Ministria e Drejtësisë, Prokuroria e Tiranës, Prokuroria e Përgjithshme, Instituti i Mjekësisë Ligjore, përfaqësuesi i Ambasadës Shqiptare në Madrid, kanë marrë në dorëzim nga pala spanjolle, organin (zemrën) e të ndjerit Saimir Sula dhe kanë përfunduar të gjithë procedurën e nevojshme sipas standardeve të parashikuara në aktet ndërkombëtare dhe legjislacionin procedurial – penal të të dy vendeve.

Transporti për në Shqipëri është kryer konform procedurës së përcaktuar dhe për transportin e zemrës janë përdorur mjetet e fundit teknologjike për procedura të tilla me vështirësi teknike.

Ministria e Drejtësisë ka qenë në koordinim të vazhdueshëm me autoritetet spanjolle, por vetëm në maj 2023 u mor vendimi nga Gjykata 16 e Barcelonës për lejimin e riatdhesimit të organit (zemrës). Prokuroria e Tiranës në kohë rekord nga momenti i njoftimit të këtij vendimi në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe Prokurorinë e Përgjithshme morën masat për realizimin e procedurës së riatdhesimit të zemrës. Prokurori i çështjes, njëkohësisht, në përmbushje të detyrimeve ligjore njoftoi familjarët për praninë gjatë procesit të riatdhësimit.

Duke marrë në konsideratë ndjeshmërinë publike të këtij rasti, Ministria e Drejtësisë ka qenë në koordinim të vazhdueshëm me autoritetet spanjolle për të garantuar riatdhesimin e organit (zemrës). Nga ana tjetër, Ministria e Drejtësisë ka informuar vazhdimisht në mënyrë transparente familjarët, konform kufizimeve ligjore, sekretit hetimor, në kushtet ku çështja është në proces nga Prokuroria e Tiranës.

Ne e mirëkuptojmë emocionalitetin dhe dhimbjen e familjarëve dhe në rastin konkret MD vetëm lehtëson procesin në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës. Ministria e Drejtësisë ka kryer detyrën e saj në këtë proces si autoritet qendror, me transparencë të plotë, ndjenjë të lartë përgjegjësie dhe humanizmi. Nga ky moment i takon Prokurorisë së Tiranës dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore, të kryejnë të gjitha veprimet hetimore të mëtejshme.

Gjejmë rastin të falënderojmë edhe autoritetet e drejtësisë spanjolle, të cilët kanë përshpejtuar dhe mbështetur deri në realizimin me sukses të riatdhetësimit të organit (zemrës) të të ndjerit Saimir Sula.”-thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.