Pas dy ditësh në koma shuhet 34 vjeçari italian, baba i një fëmije… nën hetim për vrasje me grushte një shqiptar

 “Nuk e ke vënë re sesa trishtim ka në sytë e atij që bën përherë shaka?”

Kështu shkruhej në foton e profilit të facebook-ut të Klajdi Mjeshtrit, 28 vjeçar shqiptar i cili akuzohet për vrasje me dashje të një 34 vjeçari italian me profesion zjarrfikës.

Dy të rinjtë u përplasën mbrëmjen e të shtunës në një diskotekë në Rimini. Klajdi Mjeshtri goditi disa herë me grushte Giuseppe Tucci-n. 34 vjeçari përfundoi në koma ndërsa pasditen e djeshme ndërroi jetë si pasojë e lëndimeve të shumta që kishte marrë

Media italiane ka sjellë një sërë detajesh në lidhje me profilin e shqiptarit, i cili tanimë do të përballet me një akuzë të rëndë që nëse faktohet, do ta lërë në burg për kohë të gjatë.

Siç shkruan “Il resto del Carlino”, Klajdi ishte një djalë i shoqërueshëm dhe mjaft i buzëqeshur. Të paktën kështu tregojnë ata që e njohin 28 vjeçarin. Mjeshtri për disa vite kishte punuar si arbitër futbolli, një profesion që dikton nevojën e ekuilibrit e balancës. Klajdi Mjeshtri e kishte lënë në vitin 2019 profesionin e arbitrit dhe aktualisht punonte në diskotekë si roje sigurie.  Dinamika e ngjarjes mbetet ende e paqartë, por nga ajo që kanë mësuar media italiane thuhet se 34 vjeçari italian kishte ngacmuar disa vajza. Mjeshtri në pozicionin e tij si ‘bouncer’ (rojet që kujdesen për sigurinë si dhe largimin e personave që shkaktojnë probleme nëpër lokale) e kishte nxjerrë jashtë diskotekës 34 vjeçarin. Në ambientet jashtë diskotekës, ka ndodhur edhe sherri.

Babai i të ndjerit, po ashtu zjarrfikës me profesion, foli për median italiane. Zemërthyer për të  birin, ai shprehet se “nuk duhej të kishtë përfunduar ashtu, nuk është e drejtë”.

“Mjekët na e thanë menjëherë, për tim bir nuk kishte shpresa…di vetëm atë që ka thënë djali tjetër, kolegu i tim biri. Ata kishin parë finalen e “champions” dhe mandej kishin dalë në diskotekë. Një mbrëmje normale, si të tjerat. Unë nuk kam qenë atje, nuk e di si kanë shkuar ngjarjet, por ajo që thuhet (ngacmimi i një vajze) nuk është sjellje që bënte djali. Mesa më thanë, ai i ishte afruar një vajze dhe kishte bërë sikur po përgjonte celularin e saj, për shaka… një gjest i padëmshëm. Roja e ka vënë re dhe e ka qortuar për këtë fakt e prej aty ka lindur një përplasje, veçse verbale.

Djali dhe miku i tij kanë dalë më pas, por pastaj djali im është rikthyer sërish në lokal. Në këtë pikë nuk e dimë pastaj se çfarë ka ndodhur. Besojmë se policia e hetimi do të zbardhin ngjarjen. Nëse ai (roja sigurisë, Klajdi Mjeshtri) ka gabuar, shpresoj që të dënohet. Ka mënyra të tjera për të kryer punën e tij dhe dhuna nuk mund të justifikohet.

Djali im ishte lumturia ime…kishte nisur punë si zjarrfikës 5 vite më parë. La pas një djalë dhe shoqen, sapo kishin blerë një shtëpi…”-përfundoi rrëfimin e tij babai i të ndjerit.