Pas muajit të bekuar të Ramazanit, për pushime në Shqipëri

Mëngjesin e kësaj të shtunë mbi 4600 shqiptarë të Kosovës kanë zgjedhur që fundjavën ta kalojnë në Shqipëri. Pika kufitare e Morinës ka patur fluks të shtuar të lëvizjes, konkretisht mbi 3200 automjete e dhjetëra autobusë.

Pas muajit të bekuar të Ramazanit e përfundimit të agjërimit, shumë shqiptarë të Kosovës i janë drejtuar Shëngjinit, Durrësit, Vlorës por edhe Tiranës, për të kaluar pushimet e fundjavës.

“Po ikim për Shqipëri, pak festë. Të premten e bënë pushim në familje, të shtunë e të dielë do jemi në Shqipëri. Urime festën e Bajramit të gjithë besimtarëve shqiptarë.”-tha një qytetar.

“Ne kemi ardhur për pushime, çdo muaj e bëjmë vizitën”-tha një grua.

Policia kufitare punoi me procedurë të përshpejtuar për kalimin e qytetarëve e hera herës edhe pa kontrolle për të shmangur radhët në kufi.