Pas 15 orësh ndërhyrje të vështirë e të komplikuar në zemër, më në fund na ka ardhur lajmi për të cilin u lutëm. Andi vogël nga Kosova, tanimë ka dalë nga intubimi, ka hapur sytë pas atij operacioni të gjatë e të vështirë.
Gjendja e vogëlushit paraqitet stabël, ndërsa nëna e Andit na tregon se “më në fund djali i hapi sytë dhe doli nga intubimi, ju lutem mos na harroni me lutje”
Rasti i Andit u bë publik disa ditë më parë nga “Shqiptarët për Shqiptarët”. Fati i vogëlushit dukej i vendosur nëse ai nuk do të largohej sa më parë për kurim të specializuar jashtë shtetit.
Falë bamirësisë së shqiptarëve, gjithçka u bë e mundur në një kohë rekord dhe Andi së bashku me të ëmën u nisën drejt Italisë.
Andi vogël, iu nënshtrua një ndërhyrje që zgjati plot 15 orë. Një ndërhyrje e komplikuar, por që përfundoi në tërësinë e saj me sukses. Pak ditë nga lajmi për përfundimin me sukses të ndërhyrjes, na vjen lajmi tjetër se Andi tanimë ka dalë nga intubimi.
Nuk na mbetet veçse të lutemi që vogëlushi të shërohet tanimë plotësisht e të rikthehet në atdhe së bashku me nënën.