Një grua është shpëtuar mrekullisht pasi ka qëndruar për tre ditë me radhë e bllokuar në makinën e saj, e cila u mor përpara nga vërshimet e mëdha që kapluan Spanjën.
“Pas tre ditësh, gjetëm një njeri që ishte gjallë në makinën e saj” tha Martin Perez, drejtuesi i shërbimit të mbrojtjes civile në Valencia, një ndër qytetet të goditura më rëndë prej përmbytjeve.
Lajmi solli gëzim dhe shpresë mes qytetarëve të cilët u përballën javën e kaluar me përmbytje masive që i morën jetën mbi 200 personave.
Për median lokale Martin Perez shpjegoi se gruaja po udhëtonte në zonën e Benetusser pranë një nënkalimi, në momentin kur makina e saj dhe disa tjera u përfshinë nga vërshimet e ujit. Automjeti i gruas mbeti i bllokuar pas një sërë makinash të tjera, duke e bërë të pamundur daljen.
Një grup i emergjencave civile po punonin aty pranë kur dëgjuan thirrjet e gruas nga grumbulli i makinave. Gruaja kishte nisur të thërriste “doktor, doktor”. Ekipi i emergjencave civile iu afrua grumbullit të makinave dhe pas një pune disaorëshe, arriti të nxjerrë prej aty gruan.
Media spanjolle e përshkroi si një mrekulli shpëtimin e gruas, në një kohë kur prej përmbytjeve kanë ndërruar jetë të paktën 217 persona.