Pas vitesh tensione politike, Turqia e Greqia vendosin të rinisin bisedimet

Duket se erërat e tensionit kanë rënë ndjeshëm… Greqia e Turqia bëhen gati të rinisin bisedimet, në një prej përpjekjeve më serioze të viteve të fundit, të shoqëruara me akuza e tensione të mëdha.

Ministrat e Jashtëm të dy vendeve zhvilluan një takim këtë të hënë, ndërsa në fokus të bisedimeve ishte bashkëpunimi ekonomike i dy vendeve të NATO-s.

Të martën (nesër) pritet që të ketë sërish takim, ndërsa në tavolinë do të diskutohen çështje edhe më sensitive, si ajo e sovranitetit në Detin Egje, në Mesdhe si dhe çështja komplekse e emigrimit.

Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, dhe presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, u pajtuan për të provuar rivendosjen e marrëdhënieve gjatë një takimi në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara më 20 shtator.

Vendimi vjen pas shumë vitesh tensione politike, me palët që shkuan deri aq sa t’i përmendnin luftën njëri- tjetrit. Një pikë mjaft e debatuar, ishte ajo e sovranitetit të ishujve në Egje si dhe e drejta e shfrytëzimit të gazit natyror në rajon.

Nëse palët gjejnë pajtim, dy qeveritë do të takohen më 7 dhjetor në qytetin grek të portit, Selanik.