Pasi i mori jetën të shoqes u deh me birra, dëshmia e Eduart Danajt: Ajo hante lekët e mia

“U Zgjova në mëngjes dhe shkov në vendin në fjalë, sepse e dija që ajo kalonte në orën 5:30 të mëngjesit aty. Kur e pashë…”

Kjo është një pjesë e rrëfimit të Eduart Danajt, 50 vjeçarit i cili masakroi mëngjesin e ditës së djeshme të shoqen 40 vjeçe në Menidi të Greqisë fqinje.

Media greke ka zbardhur një pjesë të dëshmisë së vrasësit, i cili ka treguar se e ka qëlluar të shoqen të paktën 10 herë me thikë.

Pas krimit të rëndë që ndodhi në mes të një kryqëzimi rrugësh, 50 vjeçari është larguar nga skena krimit dhe fillimisht ka ndaluar në një hotel. Më tutje ai i është drejtuar kantierit të ndërtimit ku  punonte dhe rrugës, siç raporton media vendase, ka konsumuar një sasi të madhe alkooli.

I njëjti veprim që bënte kur ishte dhe në shtëpi, thekson media greke, pasi 50 vjeçari shpesh e dhunonte të shoqen kur ishte nën efektin e alkoolit.

Kur u arrestua, Danaj ishte i dehur. Nuk e kuptonte se çfarë kishte ndodhur. Policia ka vënë re një ndjenjë të qartë urrejtje tek autori i krimit, asnjë shprehi të pendesës, ashtu siç edhe dallohet në dëshminë e tij para hetuesve.

 “U zgjova në mëngjes dhe shkova në vendin në fjalë sepse e dija që ajo kalonte në orën 5:30 të mëngjesit aty. Kur e pashë, nxorra thikën dhe nisa ta godas. Më pas u largova në këmbë dhe shkova në një hotel. U ula për pak kohë aty dhe më pas eca drejt kantierit të ndërtimit ku piva disa birra derisa më arrestuan”, tha 50 vjeçari para hetuesve.

Kur u pyet nga këta të fundit se përse kishte vendosur t’i merrte jetën të shoqes, Danaj u përgjigj se ajo kishte të dashur dhe se “Nuk mund ta duroja dot të dashurin e saj teksa i jepte makinës sime. Unë punoja ndërsa ajo hante paratë e mia.”

Kujtojmë se Enkelejda Danaj e kishte denoncuar së paku tre herë në polici 50 vjeçarin, pasi ai ushtronte vazhdimisht dhunë fizike ndaj saj. Këtë të premte (17 maj), Danaj do të duhej të paraqitej përpara gjykatës pikërisht për një kallëzim të fundit që 40 vjeçarja kishte bërë ndaj tij, vetëm disa ditë më parë.

Në njërën prej dëshmive të fundit në polici, 40 vjeçarja tregonte sesi ajo dhunohej fizikisht nga i shoqi. Episodi i fundit kishte qenë më 6 maj 2024.

 “Në përgjithësi nuk kemi shkuar kurrë mirë. Ai më ka kërcënuar, ka abuzuar shumë herë me mua. Kam raportuar shumë incidente, por jo të gjitha. Prej një jave tashmë, ai më vëzhgon, rri ulur në makinë jashtë shtëpisë sime dhe nuk e di pse. Dje, më 6 Maj rreth orës 23:30 qëndronte jashtë shtëpisë sime ulur në makinë. Iu afrova dhe e pyeta pse ishte aty dhe filloi të më thoshte: Do ta shikosh çfarë do të të ndodhë, do të të djeg. Ishte i pirë sepse kishte disa kanaçe me birrë në makinë. Shkova të thërrisja policinë, por më kapi për fyti dhe më përdrodhi dorën. Pastaj vajza ime, që ishte aty afër telefonoi urgjencën. Më pas u transferuam në shërbimin tuaj”, tregoi ajo në dëshminë e saj.

Enkeleida Danaj ishte me origjinë nga Vlora dhe nënë e dy fëmijëve, një vajze 21 vjeçe dhe një djali 15-vjeçar.