Peqin: Shkaktoi aksidentin që i mori jetën 25 vjeçarit, policia arreston 38 vjeçarin

Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e të mërkurës në rrugën Peqin- Rrogozhinë, ku si pasojë e përplasjes së dy automjeteve humbi jetën një 25 vjeçar dhe u plagos një tjetër.

Policia ka njoftuar të enjten se ka arrestuar shoferin e automjetit të dytë të përfshirë në aksident, një 38 vjeçar me inicialet G.F, banues në Manzë. Nga të dhënat e përpiluara mbi dinamikën e aksidentit, duket se 38 vjeçari ka qenë shkaktar i aksidentit mes dy mjeteve, aksident që solli vdekjen e shoferit të makinës tjetër, 25 vjeçarin me inicialet E.K. I plagosuri është një 24 vjeçar, i cili është dërguar në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

“Kavajë/ Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor të Komisariatit të Policisë Kavajë arrestuan në flagrancë shtetasin G. F., 38 vjeç, banues në Manzë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen.

Mbrëmjen e djeshme, në aksin rrugor “Peqin-Rrogozhinë”, nga përplasja e automjetit që drejtonte shtetasi G. F. me automjetin që drejtonte shtetasi E. K., 25 vjeç, banues në Peqin, ka humbur jetën 25-vjeçari dhe është dëmtuar pasagjeri në automjetin e tij, shtetasi B. A., 24 vjeç, banues në Peqin, i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.    

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.”-njoftoi policia.