Melisa është “mjalti”, vajza e vogël e shtëpisë, e shtrenjta.
Por për tre vite me radhë, këta dy prindër nga Malisheva vuajtën siç kurrë nuk e kishin imagjinuar. Melisa e tyre e vogël shkoi të vizitohej për një virozë, por që prej asaj kohe, spitalet u bënë shtëpia e saj.
Vogëlushja nga Kosova ishte prekur nga një sëmundje e rrallë, e për ta gjetur atë u deshën plot 4 muaj. Nënë e babë panë me sytë e zemrën që u thyhej dita ditës, sesi e bija nxirrte gjak nga goja për shkak të hemorragjisë së brendshme.
Tre vite orvatje e sfilitje kaluan burrë e grua nga Kosova për t’i dhënë shërim vajzës, por shpresat shuheshin shumë shpejt.
Emisioni “Për Shqiptarët” e përcolli historinë e tyre të dhimbshme. Shqiptarët dhe Fondacioni “Firdeus” u gjendën pranë këtyre prindërve. Ishte Elvis Naçi i cili mbrëmjen e të premtes nga studio e emisionit, i dha një lajm të mrekullueshëm babait të Melisës, Rexhepit. Babai vogëlushes nuk e priste mrekullinë e bamirësisë.
“Këtu kemi një vëlla nga Kosova. Ne jemi një, nuk ka dy. Historia na ndau, por zemrat tona janë një. Pasha Zotin, që është një dhe nuk bëhet dy, Fondacioni Firdeus i vë çelësin dhe e mbyll. Melisa do të niset së bashku me Leandrën për shërim në Bambino Gesu. Ne shpresojmë që të dyja vajzat tona do të shërohen.”
Kur Rexhepi merr lajmin, për një moment bëhet i fortë… por emocionet e përfshijnë këtë baba që për tre vite u mbulua në hidhërim. Veçse kësaj here, Rexhepi qan nga gëzimi, i mbushur plotësisht me shpresë