Në një dhomë të ftohtë, brenda një shtëpie që nuk ka dyer, dritare, as drita e ujë, dëgjohen zërat e dy fëmijëve jetimë, 3 e 7 vjeç. Drita e qiririt bie mbi fytyrat e tyre të imëta, ndërsa nëna e tyre u gatuan atë pak ushqim që ka mbetur.




Këto janë kushtet ku jetojnë këta dy fëmijë jetimë. Agimi 7 vjeç, rrëfen me zërin që i dridhet, sesa shumë e ka marrë malli për të atin, i cili u nda nga kjo jetë ditën kur festonte ditëlindjen. Me lot në sy, Agimi thotë një fjalë që peshon në shpirtin e tij… do të doja, babai të mos kishte ikur.
“Më ka marrë shumë malli që ta përqafoj dhe njëherë babin. Ai ishte shoku im më i mirë. Luaja me të, më nxirrte tek lodrat, më çonte në shkollë. Do doja që të ishte këtu, të mos kishte ikur asnjëherë. Tani jemi këtu, me motrën dhe mamin.”-thotë vogëlushi.
Pak muaj pasi i vdiq i ati, edhe nëna iu sëmur. Një hemorragji e rëndë në mëlçi e çoi në buzë të greminës Dafinën. E në kohën kur nënën e kishte larg, në një spital të Athinës, Agimi 7 vjeçar ndjeu se do të mbetej krejt jetim…. vetëm me motrën 3 vjeçe.
“Edhe mami është e sëmurë nga veshkat. Kur ishte në Greqi, ndjeva sikur as mami nuk do të vinte. Se do të mbetesha vetëm me motrën.”-tregon 7 vjeçari mes lotëve.