“Ne na ka lënë plagët hapur…19 vjeç ishte djali, për dy muaj bënte 20”
Kështu është shprehur për median greke babai i Antonio Dajës, 19 vjeçari që humbi jetën pak ditë më parë në një aksident rrugor në Greqi, ku u përfshi dhe një këngëtar grek i quajtur Janis Ksanthopoulos.
Babai i 19 vjeçarit me origjinë nga Vau i Dejës, tha se pret që drejtësia të vihet në vend dhe përgjegjësi të marrë dënimin e merituar. Ai tregoi se i biri ishte duke shkuar për në punë.
“Mësova se është faji i këngëtarit, a çfarë dreqin është ai. Gjithsesi, më falni për frazën, por është faji i tij! Shpejt, me shpejtësi. Pa frena, ai u përplas dhe pothuajse mori dy jetë. Ne na ka lënë plagët hapur. 19 vjeç, për dy muaj do të mbushte 20 djali. Ai vrau një djalë të ri, ne duam të marri dënimin që meriton!’- vijoi babai i të ndjerit, ndërsa më tutje u pyet për jetën dhe ëndrrat e të birit.
“Si nuk kishte ëndrra… A nuk ka ëndrra një 19-vjeçar? Familja e mësoi të ishte dinjitoz dhe i gjallë, të ketë shoqëri e miq, t’i respektojë. Sigurisht që do të marrim masa ligjore. Ai mori jetën e një njeriu, të tjerët marrin masa ligjore edhe për qentë. Ne duam që ata të marrin dënimin e tyre, atë që meritojnë”-përfundoi fjalën e tij babai i Antonios
Aksidenti ndodhi në Menidi në rrugën ‘Dekelias’. Këngëtari grek udhëtonte me shpejtësi dhe nga ajo që kanë mësuar media greke, ka evituar një automjet që i kishte dalë përpara duke humbur kontrollin e makinës së tij. Më tutje makina e këngëtarit është përplasur ashpër me një automjet tjetër. Në mjetin në fjalë ndodheshin 19 vjeçari shqiptar dhe një tjetër i ri. Makina e këtyre të fundit mandej u përplas me një shtyllë elektrike, ku dhe ndërroi jetë i riu shqiptar.