Pas lajmit se shqiptarët bamirës ia kanë siguruar mundësinë për t’u operuar tek të dyja këmbët, Altini 12 vjeçar niset drejt Tiranës për vizitat mjekësore dhe së shpejti… ndërhyrjen e parë.
Rrugës për tek automjeti, Altinin e mban në krahë i ati, i ndihmuar edhe nga Sidrit Bejleri. Mbase kjo do të jetë hera e fundit që ky vogëlush do të mbahet nga të tjerët. Lajmi se do të kurohet është një gëzim i pamatë për të, një ëndërr që po bëhet realitet.
Rrugës nga Zallbastari drejt Tiranës, Altini i thotë Sidritit:
Altini: Për mua sot, kjo ditë, është një mrekulli…
Sidriti: Kishte thënë se ka patur edhe nga ata shokë që të kanë ngacmuar me fjalë?
Altini: Po
Sidriti: Nuk ma nxë goja të them që janë tallë, por ata thjesht duke qenë të vegjël e të papjekur, janë nisur të bëjnë humor. Ata nuk e kanë menduar se ti e ke këtë sëmundje të rëndë… se po ta kishin ditur, ma beso, do të ishin ndjerë shumë keq. Por mos harro, ti ke vëmendjen e të gjithë shqiptarëve.
Rrugëtimit të gjatë i erdhi fundi. Tanimë Sidriti, Altini e nëna tij janë në Tiranë, pranë spitalit. Pak para vizitës mjekësore, Sidriti i thotë Altinit që të mos shqetësohet, pasi tashmë do të vijnë ditë më të mira për të.
Sidriti: Ke emocione? Tani nuk duhet të shqetësoshesh, të jesh pozitiv, të kesh emocione pozitive, pasi do të fillosh trajtimin. Unë dua të të shoh të fortë.
Altini nis kësisoj vizitat mjekësore. Pas dy vitesh dhimbje e vuajtje… janë të pakta orët tanimë, që e ndajnë Altinin nga rikuperimi e momenti që ai do të mund të ecë vetë.