Një gjykatë në Greqi ka vendosur të dënojë me 280 vite burgim një peshkatar nga Egjipti, i cili u gjet i fajshëm për akuzën e transportimit ilegal të afro 500 emigrantëve. Organi akuzës kërkoi fillimisht një dënim prej 4760 vitesh, afro 10 vite dënim me burg për çdo emigrant të paligjshëm të trafikuar.
Peshkatari i identifikuar si H.Elfallah ishte një ndër emigrantët që po tentonte të manovronte anijen e ardhur nga Libia e që destinacion kishte Italinë.
Kur autoritetet greke hipën në bordin e anijes e cila e kishte humbur tashmë kontrollin, arrestuan të gjithë personat që po tentonin të drejtonin anijen me afro 500 emigrantë. Ndër të arrestuarit ishte 45 vjeçari, peshkatari Elfallah si dhe i biri 15 vjeçar.
Euronews raportoi se organizata “Borderline Europe”, shpjegoi se peshkatari në fakt kishte qenë një ndër emigrantët që kërkonte të vinte në vendet e BE-së. Sipas organizatës jofitimprurëse, në pamundësi për të paguar kostot e transportimit ilegal, peshkatari dhe i biri ishin detyruar që të bëheshin pjesë e ekuipazhit të drejtimit të anijes.
Peshkatari kishte udhëtuar së bashku me të birin, në orvatje për t’u ribashkuar me djalin tjetër të tij, që jetonte në Britani.