62 vjeçari Enver Balla i cili u ekzekutua nga i biri 30 vjeçar, u përcoll për në banesën e fundit. Varrimi u bë në orët e pasdites në varrezat e Shënavlashit. Familja Balla ka hapur dyert e mortit, ndërsa hetimet vijojnë ende për të zbardhur plotësisht ngjarjen e cila bart ende një sërë të panjohurash.
Deri më tani dy të arrestuarit për vrasjen e 62 vjeçarit, djali i tij Esmeraldi i cili është i dyshuari kryesor dhe një mik i tij 25 vjeçar, i cili dyshohet se e ka ndihmuar 30 vjeçarin me bartjen, transportimin e më tutje hedhjen e trupit të 62 vjeçarit në një pus.

Në lidhje me ngjarjen, kanë folur disa prej fqinjëve të familjes Balla.
“Ka qenë djalë i mirë. Ishin tre djem. Dy të tjerët ishin në Itali, ky ka ndenjur këtu me të atin e vetë. Çuni më i mirë ka qenë, s’ma ka marrë mendja gjallë në botë. S’më mbushej mendja që i ati merrte kursimet“, thotë një nga fqinjët.
Një tjetër fqinj tregon se është shokuar nga ngjarja, pasi sipas tij babë e bir shkonin shumë mirë e punonin bashkë në blegtori. Nëna e autorit 30 vjeçar kishte ndërruar jetë kohë më parë dhe sipas tij, ka qenë vetë djali që i ka gjetur një grua të re babait.
“Njeri punëtor, që është marrë me blegtori, ka punuar. Babë e bir shkonin mirë. Në komunitet nuk ka pasur ndonjë ide që shkonin keq, shkonin shumë mirë. Nuk e dimë si ndodhi kjo gjë. Shkonin aq mirë saqë e martuan të atin.
Lajmin e morëm vesh nga shteti, nga policia. Është hapur lajmi në fshat që u largua nga shtëpia me një grua tjetër. Nuk kishte shenja që ishte i kësaj rruge”, tha një tjetër fqinj.