Përcillet për në banesën e fundit Klajdi Bitri

Është përcjellë këtë të shtunë në banesën e fundit 23 vjeçari Klajdi Bitri, i riu shqiptar që humbi jetën tragjikisht në Ankona të Italisë fqinje, teksa orvatej të mbronte një mik të tij.

Trupi i të ndjerit u soll nga Italia në atdhe, ndërsa këtë të shtunë u përcoll nga familjarë e të afërm në banesën e fundit, në qytetin e tij të lindjes në Lushnje.

Klajdi Bitri u qëllua për vdekje me një pushkë peshkimi (me shtiza) nga një i ri me origjinë algjeriane. Autori i dyshuar i quajtur Fatah Melloul, u përfshi në konflikt me një tjetër person, mik i të ndjerit shqiptar. I riu me origjinë nga Algjeria nisi të qëllojë me grushte mikun e 23 vjeçarit, pasi ky i fundit kishte ndaluar në një rrethrrotullim për pak momente me makinën e tij. Klajdi i ka shkuar në ndihmë, në orvatje për të shuar aktet e dhunshme të Melloul, ndërsa autori ka shkuar mandej në makinën e tij për të marrë pushkën e peshkimit. Klajdi u qëllua në gjoks dhe nga autopsia e kryer nga mjekët ligjore atje, shtiza i ka përshkuar mushkërinë dhe zemrën, duke mos i lënë shpëtim.