Përfundon historia e rrëmbimit të fëmijës 3 vjeç, gjyshja dorëzon djalin në polici

Ka përfunduar pas mëse 1 javë çështja e rrëmbimit të një fëmije 3 vjeçar nga ana e gjyshërve të tyre. Këtë të shtunë gjyshja e vogëlushit është shfaqur dhe ka dorëzuar nipin përpara autoriteteve.

Bahrie Gjuni vendosi ta dorëzojë nipin dy ditë pasi i shoqi Rexhep Gjuni dhe vëllai i saj, u arrestuan nga policia. Ditën e djeshme këta të fundit dolën përpara gjykatës dhe iu caktua masa e arrestit.

Gjyshja kishte shkuar me nipin në Kukës por pas kontrolleve të shumta nga ana e policisë, ishte rikthyer në kryeqytet dhe po strehohej tek disa të afërm.

Më në fund nëna e vogëlushit do të mund të bashkohet me të birin, të cilin e dorëzoi më 13 prill tek gjyshërit dhe nuk e pa më.

Rasti u bë publik nga nëna e djalit, e cila tha se vjehrri e vjehrra i kishin thënë se nuk do t’ja sillnin më nipin. Diçka më shumë se një vit më parë, nëna e vogëlushit kishte humbur bashkëshortin në një aksident tragjik. 35 vjeçari ishte djali i gjyshërve që rrëmbyen nipin e tyre. Ata pretendonin se bashkëshortja e djalit të tyre të ndjerë kërkonte të largohej jashtë shtetit, një fakt që ata nuk mund ta pranonin dot, pasi s’mund të jetonin pa nipin.

Kur gjyshi i djalit u arrestua, ai nuk pranoi të bashkëpunojë me hetuesit për të zbuluar se ku ndodhej nipi.

‘Djali është brenda Shqipërisë, nuk jap shpjegime, sepse dua të bëj pakt me nusen e djalit tim të ndjerë. E kuptoj që djali ka nevojë për të ëmën. Por mbasi më vdiq djali në moshën 35 vjecare sa herë e shikoj, harroj çdo gjë për djalin. Kërkoj bashkëpunimin me nusen që ta rrisim djalin në mënyrën më të mirë të mundshme”