Përfundon pjesa e parë e ndeshjes Shqipëri-Itali, rezultati 1-2 për italianët

Sfida me Italinë ka nisur me një rekord në të gjithë historinë e europianit, golin e Nedim Bajramit i cili shënoi në sekondën e 25 të ndeshjes…

Festa shpërtheu në stadiumin e Dortmundit, por shumë shpejt, Italia kampione reagoi. Me dominimin e topit në 70% të të gjithë 45 minutave, Italia arriti të rikthejë rezultatin. Një gol i shënuar nga Bastoni në minutën e 11, solli barazpeshën.

Nuk vonoi shumë dhe Italia u bë edhe më kërcënuese. Në minutën e 15’-të Barella shënoi një gol të bukur, duke mos i lënë asnjë mundësi Strakoshës.

Minutat në vijim folën më së shumti për italianët, të cilët përmes krahëve u treguan mjaft të rrezikshëm në zonën e rreptësisë. Në minutën e 34’ Fratesi doli përballë Strakoshës i cili arriti të devijojë trajektoren e topit duke e çuar në shtyllë. Në minutat e fundit të ndeshjes, Italia rrezikoi sërish përmes Scamacca-s i cili u ndalua fatmirësisht nga një pritje e gardianit të kuqezinjve.