Përplaset me makinën e vjedhur, pasi kurohet në spital… vjedh tjetër makinë dhe aksidentohet sërish

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Tiranë, atje ku një 32 vjeçar ka vjedhur dy makina e është aksidentuar me to. I riu me inicialet F.F pësoi një aksident pranë ish- Uzinës së Traktorëve dhe mandej u dërgua me urgjencë në spital. Pak minuta pas mjekimit, 32 vjeçari ka dalë nga spitali. Autoritetet kanë mësuar se makina me të cilën ishte përplasur 32 vjeçari, ishte vjedhur disa minuta më parë në Fushë- Farkë. Policia u vë në kërkim të 32 vjeçarit, ndërsa ky i fundit tashmë kishte vjedhur një tjetër makinë në parkingun e spitalit.

Në ndjekje e sipër, i riu është përplasur sërish në autostradën Tiranë- Durrës, duke dëmtuar dhe të tjera automjete.

“Ditën e sotme, rreth orës 13:30, është marrë njoftim se te ish-Uzina e Autotraktorëve ka ndodhur një aksident. Shërbimet e Policisë si dhe të urgjencës, me marrjen e njoftimit, kanë kaluar menjëherë në vendngjarje dhe kanë dërguar në spital për ndihmë mjekësore një të dëmtuar nga aksidenti, shtetasin F. F., 32 vjeç, dyshohet me probleme të shëndetit mendor.

Pas verifikimit të automjetit tip “Volksëagen”, të përfshirë në aksident, ka rezultuar se ky automjet, ishte vjedhur disa minuta më parë, në Fushë-Farkë.

Shtetasi F. F., pasi ka marrë ndihmën mjekësore në spital, pas disa minutash është larguar nga spitali. Në momentin që është larguar, në parkingun e spitalit, ka vjedhur një automjet tjetër tip “Ford”. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, të Komisariatit Nr. 4, të Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe shërbimet e Qarkullimit Rrugor, janë vënë në ndjekje të tij.

Gjatë tentativës për tu larguar, në autostradën Tiranë-Durrës, shtetasi F. F., ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit, dhe si pasojë automjeti është përplasur me disa automjete të tjera.

Në vijim të veprimeve u bë arrestimi i shtetasit F. F., 32 vjeç, dhe materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.”-njoftoi policia.