Piacenza, 20 vjeçari shqiptar humb jetën me një plumb në kokë, media italiane sjell detaje

Mbrëmjen e djeshme një 20 vjeçar shqiptar i quajtur Enrico Aliaj ka humbur jetën në mënyrë tragjike, si pasojë e goditjes me një plumb në kokë në ambientet e shtëpisë së tij në Piacenza.

Media lokale shkruan se i ndjeri jetonte me prindërit, vëllain dhe një motër të vogël. Prokuroria ka nisur punën dhe deri më tani nën hetim është marrë vëllai 18 vjeçar i të ndjerit, i cili në momentin e ngjarjes tragjike ka qenë me të vëllanë në shtëpi.

Media italiane shkruan se fillimisht i riu ishte kyçur në banesë, por pas negociatave me autoritetet, ka mundur të dalë. Një person i tretë, tashmë i identifikuar thotë media vendase, ishte së bashku me dy vëllezërit. Fjala është për një mik të të rinjve, i cili pas ngjarjes është larguar.

Se çfarë ka ndodhur në të vërtetë, mbetet ende e paqartë për hetuesit. Por do të jenë analizat e ekspertëve të balistikës e dëshmia e vëllait 18 vjeçar të viktimës, të cilat pritet të hedhin dritë mbi rastin, nëse kemi të bëjmë me vrasje apo me një aksident tragjik.

Arma është gjetur në apartament ndërsa karabinierët kanë nisur punën për të zbuluar sesi ka përfunduar në duart e të rinjve.

Fabio Callegari, avokati i të riut e njëkohësisht person i njohur për familjen shqiptare, shpjegoi për median se “vëllai 18 vjeçar i viktimës është i gatshëm t’i përgjigjet pyetjeve të hetuesve pa asnjë rezervë, duke dhënë disponimin maksimal të tij, sepse ai është i pari i interesuar që të hidhet dritë mbi dinamikën e ngjarjes”

Ata që dhanë alarmin, shkruan Il Piacenza, ishin pikërisht dy të rinjtë që qëndronin me të ndjerin si dhe disa fqinjë, të cilët kanë dëgjuar të shtënën e armës. 20 vjeçari u gjet ende me shenja jete nga ambulanca. Mjekët e urgjencës e dërguan pranë një fushe për ta nisur me helikopter drejt spitalit, por orvatjet e tyre qenë të kota, pasi i riu ndërroi jetë.