“Plan për aneksimin e Veriut”, Kurti: Sulmi do të bëhej në 37 pika! Reagimet e Serbisë e BE-së

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është deklaruar këtë të hënë përmes një postimi në rrjetin social ‘X’, se i gjithë plani i Serbisë, ka qenë aneksimi i veriut të vendit, përmes një sulmi në plot 37 pozicione të ndryshme.

Kosova tanimë duket se i ka dokumentuar në pjesën më të madhe orvatjet e Serbisë dhe jo vetëm (Rusia) për të nisur një konflikt të armatosur në veri të vendit, një orvatje e cila dështoi më 24 shtator në Banjskë, atje ku humbi jetën heroi i Kosovës Afrim Bunjaku.

“Bazuar në dokumentacionin e konfiskuar, Policia e Kosovës ka konfirmuar se sulmi terrorist ishte pjesë e një plani më të madh për të aneksuar veriun e Kosovës përmes një sulmi të koordinuar në 37 pozicione të ndryshme. Krijimi i një korridori për në Serbi do të vinte më pas, për të mundësuar furnizimin me armë dhe trupa”, ka shkruar Kurti.

Në lidhje me këtë deklaratë dhe atë të bërë një ditë më parë nga Ministri i Brendshëm Sveçla, ka reaguar shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë së Serbisë, Millan Mojsilloviç. Ky i fundit i ka mohuar akuzat e autoriteteve të Prishtinës, duke thënë se nuk ka patur asnjë orvatje për aneksim të veriut të Kosovës.

“Ushtria serbe është një organizatë serioze, e fortë, që nuk toleron gënjeshtra. I mohoj të gjitha akuzat e bëra nga Prishtina.”-tha gjenerali.

Ndërkohë zëdhënësi i BE-së Peter Stano, i është përgjigjur interesit të medias  në lidhje me hetimet që Kosova po kryen mbi sulmin terrorist të 24 shtatorit. Stano është shprehur se BE-ja njeh shtetin e policinë e Kosovës si të vetmit që kanë tagrin për të kryer hetimet mbi sulmin, ndërsa Serbia ka veçse detyrim të bashkëpunojë, pa kushte.

Ai e ka përsëritur se BE-ja është në pritje të rezultateve të plota të hetimeve dhe në bazë të tyre, vendet anëtare do marrin vendimet e tyre, pëfshirë edhe masa të mundshme ndaj Serbisë.