Plas grushti mes mjekëve, kirurgu pezullohet pasi dyshohet se rrahu kolegun në spitalin e Gjilanit

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në spitalin rajonal të Gjilanit në Kosovë, atje ku dy mjekë janë përplasur fizikisht mes tyre. Siç raporton media e Kosovës, dyshohet se kirurgu Luan Mustafa, ka goditur me grushte kirurgun Arbër Morina.

Mbi këtë ngjarje, drejtori i përgjithshëm i spitalit Arsim Emini ka pezulluar për 3 muaj nga puna mjekun Mustafa.

“Komisioni disiplinor, për shkak të ndjeshmërisë së rastit, ka marrë vendim për masë të përkohshme, suspendim nga puna për 3 muaj me 50% pagesë deri në vendimin e plotfuqishëm i cili do të merret pas shqyrtimit detal të rastit”, konfirmoi drejtori Emini.

Policia e Kosovës ndërkohë, ka arrestuar dhe dërguar në mbajtje për 48 orë kirurgun, nën dyshimin se sulmoi fizikisht gjatë orarit të punës kolegun.

“Ankuesi (sh/k/m 1978) i cili punon mjek në Spitalin Regjional në Gjilan derisa ishte në zyrën e tij tek reparti i Kirurgjiës është sulmuar fizikisht nga kolegu i tij i dyshuari L. M. duke pësuar lëndime të lehta trupore dhe ka pranuar tretman mjekësor“, tha zëdhënësi i policisë.

Kirurgu i lënduar ka shpjeguar për një prej mediave të Kosovës, sesi ka ndodhur sulmi fizik dhe cila ka qenë arsyeja e përplasjes.

Ai (kirurgu Luan Mustafa) më ka prit derisa kam dalë prej sallës, më ka ndjekë derisa kam hyrë tek zyra ime dhe më ka sulmu fizikisht. Nuk më ka shkuar mendja që dikush mundet me më sulmu fizikisht për shkak se unë po e bëj një punë të mirë në Kirurgji dhe nuk e kam mendu këtë pjesë. Unë kam tentu me nxjerrë disa herë nga zyra, nuk kam arrit dhe më ka sulmu fizikisht derisa kanë ardhë kolegët e spitalit

Evidentimin e problemeve e kam bërë me shkrim për çdo shkelje të mundshme. Thyerja e rregullave të punës, mospërmbajtja e rregullave profesionale mjekësore, orarit të punës. Unë i kam raportuar, të gjitha ato ju kanë grumbullu atij (Luan Mustafës) dhe në momentin që drejtoria i ka thënë që ka me u përballë me Komision Disiplinor, ai ka ardhë në zyrën time dhe më ka sulmuar”, ka thënë Morina për ‘BetimipërDrejtësi’.