Po arratiseshin drejt Sllovenisë, kush janë dy vëllezërit shqiptarë të dyshuar për vrasjen e Albert Dedës në Itali

Ishin afro 20 kilometër larg pikës kufitare me Slloveninë, kur karabinierët italiane i prangosën. Media e shtetit fqinj ka publikuar foton dhe identitetin e dy personave të dyshuar për vrasjen e një 24 vjeçari, të dielën që lamë pas, në Padova. Albert Deda mori goditje me thikë dhe s’mundi t’i mbijetojë dot plagëve, në një krim që ende nuk është zbërthyer plotësisht.

Te arrestuarit, Ilmi e Klinton Rakipaj

Dy të rinjtë e arrestuar janë Ilmi Rakipaj, 24 vjeçar si dhe vëllai i tij 19 vjeçar, Klintoni. Dy vëllezërit banonin në të njëjtën godinë me viktimën në rrugën Dorighello. Ata u larguan menjëherë pas krimit me një makinë Renault Clio të kuqe, e cila u filmua nga kamerat e sigurisë në zonë dhe shërbeu si një element vendimtar për të pikasur tentativën e arratisjes së të rinjve drejt një shteti tjetër.

Në momentin e arrestimit, dy vëllezërit kishin veshur rroba të reja, e disa prej tyre kishin ende etiketat e ngjitura, të blera dukshëm gjatë orvatjes për t’u arratisur.

Media italiane shkroi më herët se motiv ishin ‘larjet e hesapeve’, por ende mbetet e pazbuluar dinamika dhe shkaqet e vërteta të ngjarjes së rëndë.