Po dërgonte djalin në kopësht, avokati Sokol Mëngjesi goditet me leva nga dy persona

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë mëngjes në zonën e ish-blloku në Tiranë, ku dy persona ende të paidentifikuar kanë goditur me mjete të forta avokatin Sokol Mëngjesi. Ky i fundit njihet si një ndër avokatët e ish- kryeministrit Sali Berisha. Avokati është goditur me leva nga dy persona të cilët më tutje janë larguar.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:50 në ish- bllok, teksa avokati po dërgonte të birin në kopësht.

“Sot, rreth orës 08:50, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, persona ende të paidentifikuar kanë goditur shtetasin Sokol Mëngjesi, me profesion avokat. I dëmtuari është dërguar menjëherë në spital për dhënien e ndihmës mjekësore dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Gjendja e tij shëndetësore është e stabilizuar. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë dhe strukturat e Policisë së Shtetit janë angazhuar për identifikimin dhe kapjen e autorëve”, informoi policia.

Avokati është dërguar në spital dhe fatmirësisht gjendja e tij është e stabilizuar.  Ndërkohë autoritetet kanë nisur hetimet. Janë sekuestruar pamjet e një serie kamerash në zonën ku ka ndodhur krimi.