“Po hanim bukë kur pamë zjarrin në tavan” Pukë, djali familjes nxjerr nga shtëpia në flakë nënën e gjyshen

Një banesë është përfshirë nga flakët pasditen e të shtunës në fshatin Mesul të Pukës. Brenda banesës qëndronin djali, nëna dhe gjyshja, në momentin kur tavani i godinës ka marrë flakë. Kryefamiljari Ardian Keci ndodhej për kurim në kryeqytet (QSUT) në kohën kur shtëpia është shkrumbuar.

Fatmirësisht i biri i tij, Geraldo, ka qenë në gjendje të reagojë në kohë dhe të dalë jashtë së bashku me nënën e gjyshen. Ai tregoi për News24 se ishin duke ngrënë drekë, në momentin kur tavani është përfshirë nga flakët e tymit.

 “Ishim duke ngrënë bukë dhe kemi parë zjarrin në tavan që kishte rënë, nuk e dimë nga erdhi. I kam marrë mamin, nënë dajën dhe i kam nxjerrë jashtë. Na janë djegur televizori, dushi, raftet, kolltuqet, frigoriferi, lavatriçja”, thotë Geraldo Keci, djali i familjes.

 “Dëmet janë të konsiderueshme. E gjithë banesa është jashtë funksionit pasi është e dëmtuar totalisht nga zjarri me të gjitha orenditë dhe pajisjet brenda. Fatmirësisht nuk kemi dëme në njerëz dhe kjo është fat, për pjesën tjetër na duhet i gjithë angazhimi i strukturave vendore, i shtetit, drejtorive përkatëse për t’i ardhur në ndihmë kësaj familje. Po ashtu i apeloj biznesit pukjan dhe kush ka mundësi ta ndihmojë në mënyrë që kjo familje ta kalojë sa më shpejt këtë situatë“, u shpreh Ferit Ringaj, nënkryetar i Bashkisë së Pukës.

Shkak për flakët mendohet të jetë bërë një shkëndijë elektrike