Thikën me të cilën e goditi 14 vjeçarin disa herë në gjoks, nuk tregon se ku e ka fshehur, ndërsa kur është pyetur nëse është penduar për veprimin e tij, nuk është përgjigjur.
Këto janë të dhënat paraprake të dëshmisë së 14 vjeçarit që i mori jetën ditën e hënë pranë shkollës Fan Noli, bashkëmoshatarit të tij, Martinit.
Hetuesit e kanë pyetur 14 vjeçarin M. Perlleshi që t’u shpjegonte se çfarë ka ndodhur para ngjarjes tragjike ku adoleshenti e goditi për vdekje moshatarin e tij. I riu ka thënë se sherri ka nisur sepse Martini “po më shikonte”.
“Jemi zënë të premten sepse po më shikonte. E kishin lënë për t’u sqaruar. Pastaj jemi zënë sërish të hënën. Ai lajmëroi shokët si dhe unë shokët e mi. Gjatë përleshjes ndodhi ajo që ndodhi”.
Deri më tani kjo është dëshmia e zbardhur mbi ngjarjen që tronditi mbarë opinionin publik. Autori dyshuar ka treguar më tutje se thikën e ka fshehur diku jashtë shkollës dhe e ka marrë momentin kur ka dalë prej saj e drejt vendit ku ndodhi vrasja. Kujtojmë se pas krimit, 14 vjeçari dyshuar ka postuar në rrjetin social ku shfaqet brenda një makine duke pozuar me grushtin lart, ndërsa në foto lexohet dhe një mesazh me kërcënime e sharje drejtuar të ndjerit.