Po punonin tokën kur një granatë e vjetër shpërthen, tre persona të lënduar në Përrenjas

Teksa po punonin tokën me bel, aksidentalisht kanë qëlluar një granatë të vjetër të groposur në tokë. Granata ka shpërthyer e për pasojë 3 persona kanë mbetur të plagosur në fshatin Kakavec të Përrenjasit.

Fatmirësisht asnjë prej të lënduarve nuk ka marrë dëmtime serioze. Siç njoftuan autoritetet të plagosurit ishin shtetasi O.E dhe dy gra, shtetaset me inicialet Y.B dhe D.B. Teksa këta të fundit punonin tokën, atje ndodheshin dhe dy bashkëshortët respektivë të dy grave, të cilët nuk kanë marrë lëndime.

“Në fshatin Kakavec, bashkia Prrenjas, rreth orës 12:00, shtetasi O. E. dhe shtetaset Y. B. dhe D. B., duke punuar tokën me bel, aksidentalisht ka shpërthyer dyshohet një granatë e vjetër dhe për pasojë, këta shtetas janë plagosur në gjymtyrët e poshtme, janë transportuar menjëherë në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Në momentin e shpërthimit të granatës, kanë qenë duke punuar edhe 2 vëllezërit, bashkëshortët e shtetaseve të mësipërme, të cilët nuk kanë pësuar dëmtime. Grupi hetimor vijon punën në vendngjarje për sqarimin e plotë të rrethanave të këtij rasti.”-njoftoi policia.