“Po qëndroja poshtë tij” Gruaja shtatzënë tregon momentet, si arriti t’i shpëtojë jetën një 2 vjeçari që ra nga dritarja

Në javën e 33-të të shtatzanisë, Kyrie Jones kishte dalë për të bërë ecje me qenin e saj. Ishte një ditë e qetë maji kur gruaja nga Iowa (SHBA), pa një fëmijë fare të vogël, që po varej nga dritarja e një godine dykatëshe.

Djali dyvjeçar kishte arritur të ngjitej në nivelin e dritares dhe gjysma e trupit të tij ishte jashtë. E shqetësuar, Kyrie nis të afrohet me shpejtësi drejt vogëlushit si dhe të bërtasë për ndihmë. Askush nuk iu përgjigj thirrjeve të saj edhe pse gruaja vrapoi për një moment dhe goditi në derë. Kyrie arriti të telefonojë policinë ndërsa në sekondat që pasuan, vogëlushi 2 vjeçar tanimë ishte duke u varur nga dritarja.

“Po qëndroja poshtë atij, në rast se diçka do të ndodhte. Po bërtisja, ju lutem më ndihmoni, fëmija juaj është në dritare… por nuk pati asnjë përgjigje. Kur fëmija ra, arrita ta kap në krahë. Koka e tij më goditi barkun, por në atë moment adrenalina më kishte përfshirë dhe nuk ndjeva asgjë. Pampersi i djalit kishte ikur, hoqa bluzën dhe e mbulova. Më pas erdhi policia… nuk e imagjinoj dot, sikur të kisha ardhur 2 minuta më vonë… (qan) do ta kisha gjetur atë vogëlush në tokë”-rrëfeu mes lotëve gruaja.

Policia nisi hetimet për rastin, ndërsa nëna e 2 vjeçarit rezultoi se ishte në banesë dhe kishte dalë pas gjithë ngjarjes së frikshme.