Me siguri në një moment të jetës, gjithkush e ka pyetur veten… pse po përballem me vështirësi? Është një pyetje që lind natyrshëm, pasi në këtë botë të gjithë janë kalimtarë.
Në episodin e dytë të Podcast-it, Elvis Naçi na shpjegon se përse Zoti i Gjithësisë i sprovon njerëzit e tij dhe përse Pejgamberët e Profetët e mëdhenj, ishin ata që u sprovuan me sprovat më të mëdha të kësaj bote.
Në historinë e të afërmve të Zotit, kemi parë se janë më të sprovuarit…
Elvisi: Duhet të kuptojmë diçka. Njeriu është krijuar në këtë botë që t’i shijojë të mirat e kësaj bote. Momenti tjetër, njeriu do të ketë testet e tyre në këtë botë. Por duhet të kuptojmë se kur flasim për profetë e pejgamberë janë sprovuar më shumë, normale… të takosh (ëngjëllin) Xhebrail Eminin nuk mund të kesh teste të klasës së parë. Pejgamberi jonë alej selam ka shkuar në Natën e Miraxhit dhe e ka parë xhenetin me sy, çfarë sprove mund të kishte? Si tonat? Ato janë si sprovat e kopshtit.
Zoti kur nuk do me e humb një njeri dhe ai njeri ka punuar me besimin, gjithmonë i jep në mënyrë matematikore sprovat, aq sa ne përballojmë. Por çfarë thuhet në Islam? Një njeri që nuk sprovohet, bie në gjumë dhe nuk zgjohet. Kjo do të thotë, kur një njeri sprovohet ai po merret me sprovën e vet dhe është larg harramit dhe të këqijave. Ndaj edhe Pejgamberët janë sprovuar e testuar gjithmonë dhe kanë qenë në nivelin më të lartë devotshmërisë.
A nuk është fakt se shumica e njerëzve shkatërrohen sepse pasurohen, i kanë gjithë të mirat dhe pastaj futen në botën e veseve dhe epsheve? Por kur ke teste herë pas here, ti e ruan veten tënde dhe nuk ke kohë të shkosh në rrugën e gabuar.
Mëshira e Zotit, ka një transmetim, Zoti i sprovon njerëzit sipas nivelit të besimit. Nëse ne do të ishim sprovuar me sprovat e Pejgamberëve, ne do të ishim rrëzuar. Zoti e di nivelin tonë dhe na i jep sprovat, por jo me qëllim për të na rrëzuar. Pra nuk ka gjë për t’u trembur.