Podcast me Elvisin: Çfarë do të thotë të kërkosh faljen tek i madhi Zot

Në këtë episod të tretë të Podcastit, Elvisi ndalon në peshën e madhe që ka kërkimi i faljes në Islam. Nga thëniet e Profetit Muhamed a.s e deri tek duaja që Aishja i kërkoi Pejgamberit, kërkimi i faljes në këtë muaj të madhëruar të Ramazanit është një gur themeli.

Elvisi: Profeti ka thënë mjerë për atë, që jeton në Ramazan dhe nuk i falen gjynahet. Duhet ta ndajmë këtë për ata që na ndjekin. Nëse vjen dita e Bajramit dhe ne nuk i kemi bërë sebepet që Sunduesi Suprem të na falë gjynahet, atëherë nuk kemi bërë gjë në këtë Ramazan.

Si duhet ta kuptojmë këtë ne Elvis? Pra, që aq e madhe është mëshira që duhet të jesh shumë i keq të mos e përfitosh, apo që duhet të jesh shumë i kujdesshëm…?

Elvis: Tani feja ka përgjegjësi normalisht. Edhe papërgjegjësi fare, nuk ka kuptim. As ekstrem nga njëra anë e as ekstrem nga ana tjetër. Por Ramazani, kërkon seriozitet se nuk është lojë. Muaji ka aq shumë mëshirë e kujdes e avantazhe brenda, saqë duhet të jesh shumë shumë i keq, i papërgjegjshëm fare, që ditën e Bajramit të mos jesh i pastër si fëmija nga gjynahet.

Pse Zoti i Gjithësisë e vlerëson kaq shumë njeriun? Ka të bëjë me formën sesi është krijuar njeriu. Ne jemi krijuar që të bëjmë dhe gabime, që të themi edhe gjëra që nuk janë të mira. Por kur ti thua, prit se jam me Ramazan, kjo të ngren përpara të madhit Zot. E në kohën që ti je i përgjegjshëm, i madhi Zot t’i fal ty gjynahet.

Pra, prandaj thuhet, mjerë ai që nuk përfiton gjatë muajit të madhëruar të Ramazanit. Që Zoti e lë gjallë gjatë këtij muaji dhe nuk i falen gjynahet, pra nuk përfiton asgjë nga ky muaj.

Puna jonë si muslimanë e muslimane është se jemi në garë. Ne jemi besimtarë. Të gjithë themi shehadetin e kuptimi i tij është se nuk ka Zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Atij që na krijoi.

Si kënaqet Allahu, kur ne kërkojmë falje?

Zoti i Madh nuk ka nevojë për ne. Zoti ka një veçanti… është shumë shumë shumë i mirë. Që do të thotë: Kur ne pendohemi, kur ne kthehemi, kur ne ecim në rrugën e drejtë, Ai kënaqet shumë.

Po sa?

Pejgamberi alejhi selam ka thënë: Zoti kënaqet më shumë kur pendohet njeriu.

Një person po udhëtonte dhe gjatë rrugës shikon një pemë, një hije. Thotë do ndaloj, të pushoj. Aty e zë gjumi. Kur hap sytë, shikon që kafshën nuk e kishte. Bashkë me të, i kishte ikur dhe ushqimi. Pra ishte i mbaruar. Ai s’mund të vijonte udhëtimin. Kërkoi e kërkoi, por nuk e gjeti. I tha vetes po kthehem tek ajo pemë, të shijoj hijen. Ulet nën hijen e pemës dhe sërish e zë gjumi. Kur i hap sytë, kafsha kishte ardhur aty pranë.

Profeti thotë, iu rikthye sërish jeta. Nga gëzimi i madh, ai tha ‘o Zot ti je robi im, unë jam Zoti jot’. Kjo si fjalë, është fjalë që të nxjerr nga feja. Por ai nga gëzimi i madh, ngatërroi fjalët.

Ja sa i mirë është Zoti.

Sa i rëndësishëm është kërkimi i faljes Elvis?

Elvis: Jo pa qëllim Pejgamberi ynë tha shtoni shehadetin dhe kërkimin e faljes. Pejgamberi ynë çdo ditë i kërkonte falje të madhit Zot 100 herë. Vetë ai, Pejgamberi.

Njerëzit që rrinin me të, kërkonin nga të gjitha anët, t’ja gjenin mënyrën për t’i kërkuar një dua nga ana e tij drejt të madhit Zot. Bashkëshortja e vet tregon një herë, se hyri Profeti në dhomë. I thotë: o i dërguari i Zotit, a i lutesh të madhit Zot për mua?

Pejgamberi, i cili gjithmonë ishte i buzëqeshur, i ngre duart para Aishes. Thotë: o Zot falja asaj gjynahet e mëparshme dhe ato që do të bëjë. Mëkatet e mëdhaja e të vogla, mëkatet që Ti i din dhe ajo nuk i din.

Aishja, e tregon vetë këtë, qeshi aq shumë dhe nga kënaqësia e vuri kokën në kraharorin e Pejgamberit. Ai i tha: Aishe, u kënaqe?

Ajo ia ktheu: E kush në këtë botë të mos kënaqet kur ti i bën dua?

Pejgamberi i tha: Këtë lutje, e bëj çdo namaz për të gjithë muslimanët.