Podcast me Elvisin: Djali i ndjerë lajmëron nënën në ëndërr kur është Nata e Kadrit

Në këtë episod të Podcast me Elvisin, diskutojmë mbi Natën e madhërueshme të Kadrit dhe të shumta mirësitë që vijnë prej saj.

Elvisi na tregon mbi një histori të ditëve të fundit, e cila i ka lënë përshtypje. Historia e një gruaje në moshë në Durrës, e cila kishte parë në ëndërr të birin e ndjerë, i cili i thoshte se do të takoheshin për Natën e Kadrit.

Elvisi:  Unë desha t’ju tregoj për një ëndërr e cila më ka mbetur në mendje dhe për të jam informuar në ditën e 22-të të Ramazanit. Ëndrra është e tillë.

Një nënë, 80 vjeç, shikon djalin e saj që i ka ndërruar jetë. Një nënë me agjërim, shikon në ëndërr djalin që i ka ndërruar jetë 50 vjeç. Djali i thotë nënës… “Nënë, bashkë do të takohemi në Natën e Kadrit”.

Nëna kur zgjohet, e mbante mend ëndrrën pafund. Kuptohet e kishte dashur shumë, imagjino kur djali ndahet nga jeta para nënës… ajo nuk takonte asnjeri, vetëm u thoshte njerëzve, ‘më ka thënë im bir, që do të takohemi Natën e Kadrit’. Pa e komentuar ëndrrën. Subhanallah, kjo nënë që nuk kishte asnjë sëmundje që ta prisnin se do të ndërronte jetë, në orën 1 të natës, në natën e 21-të të Ramazanit, ia jep shpirtin Allahut Xhele Xhelaluhu.

Tani unë dua ta shpjegoj këtë. E para, unë nuk para besoj nga një drejtim. Pra, personat që ma sollën, janë disa motra besimtare në Durrës. I them nuses, sepse doja ta vërtetoja, i them të lutem se ky është një sinjal, sepse ne e dimë që ata që kanë ndërruar jetë kur dalin në ëndërr nuk gënjejnë, e dyta kishte të bënte me Natën e Kadrit dhe sinjali tretë, ishte që nëna kishte ndërruar jetë në natën e parë teke të 10 ditëshit të fundit.

I them time shoqeje, të lutem shko në shtëpinë e kësaj nëne. Ka shkuar të nesërmen që në mëngjes. Ka takuar të gjitha motrat muslimane. Takon dhe familjarë, dhe ajo i thotë tekstualisht që nëna ishte e gëzuar 1 javë, qëkur kishte parë djalin e vete dhe nuk takonte njeri… thoshte ‘më ka thënë djali se do ta takoj në Natën e Kadrit’.

A tregon kjo që ka qenë nata e 21-të, Nata e Kadrit? Ne jo pa qëllim e kemi pyetur kur e keni ndjerë shpirtërisht. Shumica na kanë thënë për datën 23, kurse djali i kësaj nëne, i ka thënë do të takohemi për Natën e Kadrit. Ka shanse, sipas interpretimit të drejtë të kësaj ëndrre, që Nata e Kadrit, të ketë qenë natën që kjo nënë ka vdekur. Ka dhënë shpirt, dhe Zoti, kur do me e nderuar një rob, njerëzit e afërt presin për ta ngushëlluar. Ka shumë mundësi që nata e 21-të të ketë qenë Nata e Kadrit, por ka dhe një shpjegim tjetër.

I ka thënë, ‘nënë do të takohemi në Natën e Kadrit’. Kur njeriu vdes, ne nuk e dimë se ku është niveli i tij tek Allahu. Mundet që kjo nënë të ketë ndërruar jetë në natën e 21-të, por dy ditë deri më 23, ajo mundet të ketë kaluar etapat që kalohen… siç është ajo që shkon shpirti në qiell, jep llogarinë e parë, vjen pastaj shpirti kur po varroset e kështu me radhë. Mundet pra, që kjo nënë të jetë takuar me djalin edhe me 23, me 25, me 27 apo mundet edhe të jetë me datë 29.

Por kjo ëndërr më ka çuditur dhe të them të drejtën më dha shenjat e mëdhaja… e di kush është shpjegimi, një nga gjërat më të bukura? Edhe për të shpirtrat e botës tjetër, Nata e Kadrit është me famë. Për Zotin e Madhin… nëse do i thoje atyre që kanë ndërruar jetë, a doni të vini në dynja edhe njëherë dhe kur… ata do të thonin në Natën e Kadrit.

Djali i thoshte, bashkë do të takohemi në Natën e Kadrit. Ndoshta, ajo nënë mund të kishte krijuar idenë se do ta shihte në ëndërr prap. Kurse fjala ishte për takimin, se ajo do të ndërronte jetë. Në orën 1 të natës, Allahu Xhele xhelaluhu ka dërguar ëngjëjt e vet dhe çuditërisht, nuk e prisnin që të ndërronte jetë. Pra, mosha ishte 80 vjeç, por që të thoje është e sëmurë apo që pritet të ndërrojë jetë, kjo nuk ka qenë.

Pra Nata e Kadrit, ju begatoftë i madhi Zot, Nata e Kadrit është me famë edhe në botën tjetër. Këto janë shenja, sinjale dhe insha Allah o Zot të qofshim Falë, e kemi marrë dhe ne shpërblimin e kësaj nate të madhërishme. Ka shumë, vetëm Zoti e di, që të ketë qenë nata e 21-të.

E rëndësishme është që ne nga kjo ëndërr ne mësojmë, madhërinë, vlerën, fuqinë, potencën, dhuratën, bonusin, amnistinë e mrekullueshme të Natës së Kadrit.

Ne kemi biseduar më parë për këtë, por nuk e kemi thënë që të mos frenonim njeri dhe të mos keqkuptoheshim se ka qenë nata e 21-të. Edhe sot, ne nuk duam të ndodhi kjo gjë.