Pogradec: Sherri për motive të dobëta shtyn dy të rinj të plagosin rëndë me kaçavida një 23 vjeçar

Një sherr për motive të dobëta mes disa të rinjve ka mjaftuar që një 23 vjeçar të mbetet i plagosur rëndë. Policia ka mundur të arrestojë dy të rinjtë përgjegjës, të cilët kanë goditur me kaçavida 23 vjeçarin, i cili u nis nga Pogradeci drejt spitalit të Traumës në Tiranë.

-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec arrestuan në flagrancë shtetasit:

-H.L., 17 vjeç, banues në fshatin Çërravë, Pogradec, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”;

-E.L, 23 vjeç, banues në fshatin Çërravë, Pogradec, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”.

Këta shtetas, ditën e djeshme, janë përfshirë në një konflikt fizik, për motive të dobëta, në fshatin Çërravë, ku H. L. ka plagosur me kaçavidë, shtetasin M. L., 23 vjeç, banues në Leshnicë, i cili u dërgua për mjekim në Spitalin e Traumës në Tiranë, ndërsa E. L. ka goditur me mjete të forta dhe me kaçavidë, shtetasin J. L., 22 vjeç, banues në Çërravë, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Gjithashtu, në këtë konflikt janë përfshirë edhe 2 shtetas të tjerë, të cilët nuk kanë marrë dëmtime.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.