Polici 28 vjeçar vritet me armë në Fier, detajet e para

Një oficer i forcave ‘Shqiponja’ në Fier është vrarë me armë zjarri këtë të hënë në fshatin Baltëz të Fierit. Viktima është identifikuar si Novruz Cenalia. Vrasja ka ndodhur rreth orës 13:15, ndërsa autori i identifikuar tashmë nga autoritetet, është larguar me makinë pas krimit.

Në njoftimin paraprak të policisë, thuhet se shkak i vrasjes ka qenë një konflikt i çastit.

“Rreth orës 13:15, në fshatin Baltëz, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, shtetasi A. M. ka vrarë me armë zjarri shtetasin Novruz Cenalia, punonjës policie i Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Fier, jashtë shërbimi, por i veshur me uniformën e Policisë, pasi shkonte për të marrë shërbimin.

Menjëherë në vendngjarje janë nisur shërbimet e Policisë, Forca Kombëtare e Sigurisë, Reparti Special “RENEA”, të cilat kanë rrethuar zonën dhe vijojnë punën për kapjen e autorit.

Grupi hetimor dhe drejtues të Departamentit të Policisë Kriminale, në drejtimin e Prokurorisë, po punojnë për sqarimin e rrethanave dhe për dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje.”-njoftoi policia.

Një tjetër pistë hetimi dyshohet të jetë ajo e hakmarrjes. Viktima dhe autori i ngjarjes rezultojnë të jenë të dy me origjinë nga Hasi dhe shkak i ngjarjes besohet se mund të ketë qenë e shkuara e babait të efektivit të ndjerë. 9 vite më parë babai i oficerit Novruz Cenalia ka qenë i përfshirë në një krim të rëndë.