Policia e Tiranës: Kujdes nga këto numra e sms që ju vijnë, skema mashtrimi për t’ju vjedhur llogaritë bankare

Vitet e fundit skemat e sofistikuara të mashtrimit nëpër rrjetet sociale, numrat celularë apo aplikacionet e këtyre të fundit, janë bërë thuajse të kudondodhura në vendin tonë.

Policia e kryeqytetit ka bërë me dije së fundmi, se një skemë e tillë e mashtrimit, është zbuluar dhe që ka për qëllim vjedhjen e të dhënave të qytetarëve, në mënyrë që më pas mashtruesit të grabisin nga llogaritë e tyre bankare.

Një lloj skeme e tillë, është ajo ku mashtruesit dërgojnë mesazhe tek qytetarët duke u hequr si përfaqësues të kompanisë ‘Meta’ që zotëron Facebook, në lidhje me konfirmimin e të dhënave dhe shërbimet për reklamat në rrjetin social.

“Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DVP Tiranë gjatë monitorimit të vazhdueshëm të burimeve të hapura të informacionit dhe platformave virtuale, me qëllim evidentimin e veprimtarive të kundraligjshme kryesisht në fushën e krimeve kibernetike, ka konstatuar mesazhe të maskuara si ato të kompanisë Meta Platforms, drejt numrave të telefonit, për konfirmimin e të dhënave në rrjetin social Facebook, të lidhura me shërbimin Facebook Ads, (por jo vetëm).

Në këto mesazhe pretendohet verifikimi i llogarive në Facebook ose në të kundërt, llogaria do të mbyllet.

Mesazhet mashtruese kanë si synim orientimin e poseduesve të llogarive drejt linqeve mashtruese me qëllim marrjen në posedim të llogarive tëpersonave të mashtruar, në menyrë të padrejtë.

Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DVP Tiranë bën thirrje që nqs jeni ose dyshoni se mund të jeni i prekur nga dërgimi i këtyre mesazheve, të paraqiteni pranë zyrave tona, si dhe këshillon që të mos kryeni asnjë veprim kundrejt këtyre mesazheve, të cilat mund të vijnë nga numra kryesisht të huaj.”-njofton policia.