Policia merr në mbrojtje gruan e 50 vjeçarit që u vra nga fëmijët në Durrës

Policia e Durrësit ka marrë në mbrojtje bashkëshorten e Pëllumb Metës, 50 vjeçarit i cili u ekzekutua në shtëpinë e tij me 4 plumba, të shtëna nga dora e të birit 24 vjeçar. Për të shmangur konfliktet e mundshme, Blerina Meta nuk është lejuar të marrë pjesë në varrimin e të shoqit, i cili u dërgua për në banesën e fundit këtë të shtunë nga ana e vëllait dhe të tjerë familjarëve të të ndjerit.

Blerina Meta është shoqëuar nga policia në banesën e prindërve të saj në Laç.

Kujtojmë se krimi i rëndë u bë publik ditën e djeshme, kur policia arrestoi vajzën 19 vjeçare të viktimës. Kjo e fundit pretendoi se kishte qenë ajo vrasësja e të atit, por hetimet treguan se ekzekutori i kryefamiljarit kishte qenë djali i tij 24 vjeçar.

I riu tregoi se ‘babai ishte i padurueshëm’ dhe se kërkonte të fejonte të bijën 19 vjeçare me një njeri që ajo nuk e njihte apo donte. Sipas dëshmisë së të riut, ai dhe e motra planifikuan dhe kryen vrasjen më 10 shkurt në ambientet e shtëpisë. Hysen Meta ka shkuar pranë të ndjerit i cili ishte shtrirë dhe po flinte. Me ta zgjuar prej gjumit, 24 vjeçari i ka kërkuar të atit të çohej dhe mandej e ka qëlluar për vdekje.

Po sipas dëshmisë së autorit, më tutje ata kanë zhveshur e mbështjellë me plastmas trupin e të atit, për ta varrosur në një gropë të hapur në kasollen e bagëtive pranë oborrit të shtëpisë. Më pas vëllai me motrën, të ndihmuar dhe nga vëllai tjetër, kanë lëvizur makiën e të atit nga shtëpia dhe e kanë denoncuar në polici ‘zhdukjen’ e të atit.

Çështja vijon të hetohet. Tre fëmijët gjatë dëshmive të tyre kanë pretenduar se e ëma nuk ka qenë në dijeni dhe nuk është përfshirë në këtë ngjarje.