Një djalë në moshë të mitur është arrestuar nga autoritetet në Pejë të Kosovës, nën dyshimet serioze se i riu po bëhej gati të kryente një vepër të rëndë.
Autoritetet e ndaluan të miturin me inicialet B.M pasi ai rezulton të kishte planifikuar të vriste disa nxënës të gjimnazit të Pejës. Tanimë gjykata e ka caktuar masën e paraburgimit 30 ditor, deri në hetimin e zbardhjen e plotë të ngjarjes.
“Inicialet e të dyshuarit janë B.M. Atij i është caktuar paraburgimi prej 30 ditëve pasi dyshohet për veprën penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.”- ka thënë zëdhënësja e gjykatës themelore në Pejë.
Ndërsa në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës thuhet se ai u arrestua pasi paraqet kërcënim.
“PREGADITJA E VEPRAVE PENALE TERRORISTE OSE VEPRAVE PENALE KUNDËR RENDIT KUSHTETUES DHE SIGURISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS – Pejë/07.10.2023-12:10. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se i njëjti paraqet kërcënim. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhej në raport.