Jeta e kësaj gruaje, është një nga ato histori që me të vërtetë të thyen zemrën. Edlira është nënë e dy fëmijëve, Klodianës e Keolit. Vite më parë i shoqi i Edlirës ndërroi jetë dhe kjo nënë mbeti e vetme. Vështirësitë e saj kanë qenë të jashtëzakonshme, ndërsa tanimë, ajo përballet me një tjetër sprovë… më të madhen në jetën e saj.
E bija 13 vjeçare është prekur nga leuçemia…
Prej dy javësh, kjo nënë nuk pushon dot së qari.. s’mundet të pushojnë lotët e saj, pasi Edlira nuk i ka mundësitë për të kuruar Klodianën.
Pak vite më parë emisioni “Shqiptarët për Shqiptarët” dhe një familje mërgimtarësh e ndihmuan Edlirën, duke i dhuruar një banesë. Ajo nuk kishte asgjë dhe kishte menduar t’i jepte fund jetës… e vetmja forcë që e shtynte drejt jetës ishin buzëqeshja dhe zëri i fëmijëve të saj, ndërsa tashmë… një prej fëmijëve rrezikon t’i shuhet.
“Kam dy javë këtu, shtruar tek pediatria në Tiranë. Vajza është e sëmurë me leuçemi në palcë… (qan). Kurrë nuk e kisha menduar këtë, asnjëherë. Thashë se kishin mbaruar vuajtjet por jo, kjo është e keqe e dhimbshme.
Vajza ka dhimbje, i dhemb kurrizi, koka…. (qan) nuk ngrihet fare. Më pyet se çfarë ka, pse është kaq sëmurë… (qan) më pyet kur do të shërohet. Nuk e shikoj dot në sy, t’i them se çfarë ka. Ajo është shumë e vogël, është një fëmijë, ka ëndrra, shpresë për jetën.”-thotë Edlira.
Edlira rrëfen se përgjatë dy javëve ka fjetur fare pak… lutet çdo ditë për vajzën, teksa tregon se shuma e nevojshme për kurimin e saj është e paarritshme për të.
“Tani janë prerë të gjitha. Djalin e kam dërguar tek ime më në fshat. Më thotë hajdeni ju në shtëpi se nuk rri dot vetëm. Qan në telefon sepse nuk ka njeri tjetër veçse meje (qan)… as unë nuk kam njeri tjetër veç fëmijëve. Këtu jam vetëm (qan)… s’mund të jetoj dot pa ata të dy. Nuk mundem, nuk mundem… do vdes, se nuk mundem dot më.
Ditë- natë rri në ballkon, qaj, i lutem Zotit… vetëm lutem se nuk dua t’i ndodhë diçka e keqe vajzës. Nuk e imagjinoj dot se çfarë mund të ndodhë, kam shumë shumë frikë (qan). Më kanë thënë që mund të shkojë në Itali, se këtu rrezikon jetën. Më kanë thënë 160 mijë euro…. unë edhe organet e barkut t’i shes nuk i bëj dot ato para (qan)…. unë dua vetëm t’i shpëtoj jetën vajzës, i harroj të gjitha vetëm që vajza të ketë shëndet të plotë, vetëm kaq.”-tregon Edlira.
E mekur nga lotët dhe dhimbja, kjo nënë i drejtohet sërish me një lutje shqiptarëve bamirës.
“Kërkoj ndihmë, vetëm të shpëtoj vajzën o Zot…. të më ndihmojnë shqiptarët edhe kësaj here o Zot… nuk flas dot më (qan me dënesë).”-mbyll fjalët e saj nëna e dy fëmijëve.