Prindërit e Geanit shpërthejnë në lot gëzimi… vogëlushi 3 muajsh niset për kurim në Itali

Qëkur erdhi në këtë botë, Geani vogël nuk u largua dot më nga spitali… një sëmundje infektive në mushkëri ia rrezikon jetën e ai është veçse 3 muajsh.

Barra e rëndë e dhimbjes ia kishte thyer zemrën nënës e babait të këtij vogëlushi. Familja nuk i kishte mundësitë ekonomike për ta kuruar djalin e tyre jashtë shtetit.

Por falë Zotit ka shqiptarë bamirës. Një thirrje në emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët”, u bë shkas që mijëra njerëz të bashkohen në akt bamirës për Geanin e vogël.

Fatma Naçi e Meri Bejleri shkuan në spital për t’i dhënë mbështetje nënës së Geanit si dhe për t’i dhënë lajmin e gëzueshëm.

“Erdhëm të të mbështesim… të gjithë shqiptarët do t’i kesh pas vetes. Nesër bashkë me Geanin, ti do të nisesh në një prej spitaleve më të mira të botës…”-i tha Fatma Armandës.

E pas këtyre fjalëve, pesha e dhimbjes del me lotët e Armandës, e cila përqafon Fatmën e lehtësuar. Tanimë djali i saj, do të ketë shanse të plota për t’u kuruar… për t’u rritur, për të thënë për herë të parë nënë…

“Faleminderit të gjithëve që na mundësuan kurimin e djalit…”-tha Armanda, pak para se të niset drejt Italisë me Geanin.

E me shqiptarët që e kryen misionin e tyre fisnik, tanimë nuk na mbetet veçse të lutemi për shërimin e plotë të vogëlushit.