32 vite më parë në muajin mars, mijëra shqiptarë u larguan drejt Italisë përmes trageteve e anijeve në Durrës, për t’u arratisur përfundimisht nga varfëria e vështirësitë që solli regjimi komunist.
Njëri prej tyre ishte dhe Ivo Calebotta, i cili u largua me dajën kur ishte veçse 13 vjeçar. Ai hipi në anije, madje pa dijeninë e prindërve. Në një rrëfim për abcnews, Ivo ka treguar mbi ngjarjen dhe vështirësitë që provuan shqiptarët që u larguan.
“Nuk e kisha fare idenë se çfarë do më priste, se çfarë do bëja. Më priste, ai momenti i aventurës që kisha në tru në ato momente. Kisha qejf vetëm të ikja diku në ato momente, me e pa me sy se e shikoja në televizor dhe më ngjante bukur. Italia e vërtetë është ndryshe nga ajo që shihet në televizor, sepse ndryshojnë gjërat. Thjesht, ishte ai mendimi që do të shkojmë diku tjetër, në një vend më të mirë. Edhe nuk e mendova se ça do më priste, thjesht u nisa.
Unë isha në darkë në shtëpi dhe i thash tezes kam në plan të nisem për në Itali nesër dhe e mori me shaka. Mirë, mirë, më tha mua, shko fli gjumë se është vonë. Edhe unë bëra gati librat e shkollës dhe në mëngjes piva vetëm një gotë ujë dhe prindërit po flinin gjumë, thash mos t’i bija në sy asnjëriut. Te kantieri detar më priste daja, ndejtëm pak, u sorrollatëm, filluan ushtarët të shtinin me armë në ajër se kishte shumë njerëz dhe donin t’i shtinin frikën që mos të hynin. Aty pastaj hypëm në anije, ai ishte udhëtimi që mu kthye në skëterr. Nuk kam për ta harruar gjithë jetën, pasi udhëtimi zgjati rreth 15 orë.
Me familjen kam folur pas disa javësh sepse nuk kisha sesi të komunikoja. Te shkolla ‘Leonard da Vinci’ ku na sistemuan, atje takova një person që më njihte familjarisht. Ai kishte komunikuar me një person që vendosi të nisej sërish në Shqipëri, ai lajmëroi familjen për mua. Daja në atë kohë ka qenë afro 30 vjeç, ai më tha do të iki në Itali, a do të vish dhe ti me dajën? Daja në fakt u kthye, por unë jo. Një zonjë në moshë nga Brindisi, që unë e quaja “mami Nela” , më mori në shtëpi, në kujdestari. Unë dija italisht dhe kam folur me kapitenerinë dhe autoritetet atje.
Në Brindisi ajo zonja më dërgoi në një institut murgeshash që na mësonin gjuhën dhe shumë tjera. Unë isha fëmijë, kisha në mendje të dilja për të luajtur. Atje qëndrova 6 muaj… por pastaj u mërzita, u ktheva në Shqipëri se më mungonin prindërit. Babai ishte mërzitur, më thonin që më kishte pritur për ditë me radhë në bregdet. Tani që jam baba vetë e kuptoj…”-tregoi Ivo.