Problemi me mbetjet në hapësirë dhe mundësia e një përplasje zinxhir me pasoja katastrofike

“Hapësira nuk është diçka e largët, aspak. Është veçse një orë rrugë, nëse makina juaj do të mund të ecte lart”

Kështu deklaronte astronomi britanik Fred Hoyle në vitin e largët 1979, në një kohë kur Toka dhe hapësira dukeshin dy koncepte që i ndante një ‘det i pamatë’. Por teksa dekadat kanë kaluar, njëlloj shpejt ka ecur dhe fuqia teknologjike e njeriut për të dominuar hapësirën përreth planetit tonë. Tanimë është bërë edhe më e dukshme, se veç problemeve mjedisore në tokën ku jetojmë, një problem serioz po kthehet dhe sasia e pamatë e mbeturinave të lëna në hapësirë.

Një raport i fundit i Agjencisë Evropiane të Hapësirës (ESA) vuri në dukje problematikat serioze që mund të shkaktohen në vitet e dekadat në vijim, si pasojë e rritjes së ndjeshme të mbetjeve që lëshohen në hapësirë. Tanimë afro 195 shtete e kanë të paktën nga një satelit në hapësirë dhe si rezultat i teknoligjisë, prezenca e njeriut në stratosferë e më tutje, është një influencues i rëndësishëm. Sipas të dhënave të fundit të ESA-s, llogaritet që në hapësirën pranë Tokës ndodhen mijëra e mijëra objekte që ‘fluturojnë’ përreth planetit, shumica metalike e me një peshë totale prej mëse 11 mijë tonelatash. Shumica dërrmuese e objekteve kanë përmasa të vogla, më konkretisht 130 milionë të tilla jo më shumë se 1 cm dhe 1 milionë të tjera deri në 10 cm (copat me përmasa mbi 10 cm janë afro 36 mijë e 500). Edhe pse të tilla mbeturina duken fare të vogla, nuk duhet harruar se ato udhëtojnë me shpejtësi prej 8 kilometrash në sekondë… e me të tilla shpejtësi, do të mjaftonte një copëz pak centimetra, për të bërë një dëm të pallogaritshëm.

 Për momentin, nuk ka gjasa që të ketë pasoja serioze, por sipas vlerësimit të ekspertëve, sasitë e mëdha të mbetjeve një ditë do të kthehen në problem serioz për funksionimin e satelitëve e mjeteve të tjera që mundësojnë komunikimin në shkallë globale.