Pse u vra 61 vjeçari shqiptar në Itali? Zbardhet dëshmia autorit, reagojnë gruaja dhe e bija viktimës

Të tjera detaje kanë dalë në dritë në lidhje me vrasjen e 61 vjeçarit shqiptar Ilirjan Minaj, i cili u godit me thikë në zemër javën e shkuar në Bibbiano të Italisë, nga një 41 vjeçar italian i quajtur Riccardo Stefasin.

Media vendase ka raportuar mbi rrëfimin që ka bërë autori krimit, sa i përket dinamikës së ngjarjes. 41 vjeçari ka thënë para hetuesve se sherri ka nisur prej shakave që bënin ai dhe viktima. Por ndryshe nga çfarë është publikuar deri më tani, autori ka pretenduar se ai ka qenë personi që është sulmuar fillimisht nga i moshuari shqiptar. Madje italiani ka deklaruar se ai ka hyrë në banesën e nënës së tij për t’u vetëmbrojtur, ndërsa shqiptari ka goditur derën, aqsa ka arritur ta çajë një pjesë të derës. Italiani ka thënë para hetuesve se ai nuk ka dalë nga dera, por e ka goditur me thikë shqiptarin përmes të çarës në derë…

Pretendimet e 41 vjeçarit shumë shpejt do të vërtetohen, pasi tanimë autopsia mbi trupin e të ndjerit është kryer dhe do të jetë kjo e fundit e cila do të sqarojë sesi ka vdekur 61 vjeçari.

Avokatët mbrojtës të Riccardo Stefanit kanë shkuar në vendin e ngjarjes që u bë skenë krimi, për të analizuar dhe rindërtuar dinamikën e ngjarjes, versionet e të cilës vijonë ende të mbeten të shumta.

Në lidhje me rastin, kanë reaguar dhe bashkëshortja dhe e bija e 61 vjeçarit të ndjerë. Xhulia (vajza) dhe Natasha (e shoqja e Lilit) kanë treguar se “nëna e Riccardo Stefanit e kishte mbyllur derën e shtëpisë duke e lënë djalin jashtë.?

“Derën nuk e ka thyer babai im, por Stefani që ka hyrë me forcë për të marrë thikën”-ka thënë e bija e shqiptarit të ndjerë.

Nënë e bijë po ashtu kanë dashur të vënë në dukje se shkas i kësaj ngjarje nuk kanë qenë detajet e publikuara në median vendase, për çështje të një mosmarrëveshje lindur nga një shaka.

Kujtojmë se 61 vjeçari kishte shkuar të vizitonte mbesën, e cila jetonte dy kate sipër apartamentit të nënës së autorit.

41 vjeçari italian ishte i dënuar më parë dhe sipas banorëve të zonës një njeri problematik. Stefani kishte ardhur të jetonte në banesën e të ëmës pas daljes prej burgut dhe ishte përdorues i drogës e alkoolit.