A është e drejtë që një foshnje disa ditëshe të ndërrojë jetë prej një sëmundje? A është e drejtë që një fëmijë të preket nga kanceri?
Me këtë pyetje është përballur në Podcast Elvis Naçi, i cili është munduar t’i japë përgjigje këtyre pyetjeve përmes disa koncepteve themelore që burojnë nga Islami si dhe nga shembulli i një njeriu të madh, që u sprovua pikërisht kështu… duke humbur jo një fëmijë, por gjashtë fëmijë.
Mes të tjerave, Elvisi shpjegon se cila është sprova më e madhe në këtë botë kalimtare.
Ne do të bëjmë pyetje pa censurë. Sepse në fe nuk ka turp për të bërë pyetje. Fëmijët janë krijesa që janë më të pafajshme. Shpesh herë sëmuren, nganjëherë edhe vdesin…
Elvisi: Ke të drejtë, duhet diskutuar pa censurë. E di kush është spektakli më i madh i dialogut që ka ndodhur ndonjëherë. Zoti i Gjithësisë me shenjtanin. Zoti i thotë pse nuk i ke bërë sexhde Ademit dhe ai i drejtohet dhe i thotë Zotit, unë jam më i mirë se ai. Zoti ka në dorë gjithçka dhe dialogon. E kundërshtoi njëherë nuk bëri sexhde, e kundërshtoi herën e dytë duke i thënë se unë jam më i mirë se ai. Vazhdoi… i tha o Zot nëse ti më jep afat që unë të bëhem sprovë për njerëzimin, ngaqë tani e urrej Ademin dhe pasardhësit e tij, unë do ta bëj. Ia dha dhe këtë. Do ta kesh deri në ditën e caktuar, para se të marrësh dënimin që të takon.
Pas kësaj, kur Zoti i Gjithësisë dialogon me Shenjtanin që ishte i mallkuar, atëherë këtu nuk ka asnjë perde për të bërë dialog dhe për të shtruar pyetje.
Tani… Pyetja jote ishte për fëmijët. Pse Zoti i Madhëruar i merr ata?
Po pse i merr, i sëmurë, disa shpëtojnë, disa lindin me të meta…
Elvisi: Gjëja e parë. Një fëmijë që ndërron jetë, kur të dalë në Ditën e Gjykimit, është i shpëtuar. Le të themi se do të jetojte 60-80 vjet, por vdiq 3. Bota tjetër është e përjetshme. Një fëmijë që nuk jetoi dot në këtë botë, nuk ka mëkate, ai do të fitojë përjetësinë.
Në të njëjtën kohë, është një test i madh për prindërit. Pejgamberi ynë ka thënë që, Zoti i Gjithësisë pyet ëngjëjt kur ja marrin shpirtin… “a ja morët fëmijës jetën… dhe zemrën e prindit” dhe ata përgjigjen po.
Thuhet më pas, çfarë thotë robi im… e ai thotë “Të Zotit jemi dhe tek Zoti do të shkojmë.”
Zoti i Gjithësisë kërkon “shpejt, nxitoni dhe ndërtoni një shtëpi në xhenet dhe quajeni shtëpia e lavdërimit dhe e falenderimit.”
Pra fëmija në xhenet dhe prindërit në xhenet, për durimin e tyre.
Dua t’ju bëj një pyetje të gjithëve. Ishte një person në këtë botë, të cilit i vdiqën dy djem. Pastaj i vdiqën tre vajza… nuk mjaftoi kjo. Pas disa kohësh lind një fëmijë, një djalë, një xhevahir. Në 1 vjeç e 8 muaj ndërron jetë. Sa u bënë? Tre djem e tre vajza, 6 fëmijë.
Mrekullia e kësaj që po them është që, kur i pyet muslimanët e muslimanet kush është ky person, 99% nuk e gjejnë. Sepse ky njeri kaq i madh ka shumë gjëra tjera që kanë spikatur në jetën e tij, por kjo nuk është bërë dramë e madhe për jetën e tij. Kur ne e dimë që ka prindër që i ndërron jetë një fëmijë apo e kanë sëmurë, dhe jeta e tyre nuk rregullohet më. Për personalitetin e madh që po flas, i vdiqën 3 djem e 3 vajza dhe ai ishte në kulmin e adhurimit të Zotit dhe të kontributeve për shoqërinë.
Kam përshtypje që këtë pyetje do të ishte mirë t’i drejtoheshim dëgjuesve dhe lexuesve.
Elvisi: Ne nuk do ta themi, derisa ata që po na ndjekin, ta gjejnë vetë. Po flasim për një personalitet të padiskutueshëm e të pakontestueshëm në Islam. Kurrë nuk është ankuar. 24 orë në 24 ka qenë duke kontribuar për njerëzimin dhe duke adhuruar Zotin e Gjithësisë
Në podcastin tjetër, do të flasim për personin në fjalë…
Elvisi: Unë e jap si shembull. Për të treguar se duhet të jemi të fortë. Megjithëse kaloi këtë sprovë kaq të madhe, nuk ndikoi asnjë sekondë për t’u ankuar për atë që ai kishte vendosur për të dhënë. Të siguroj për një gjë ama, nuk ka bërë asnjë gabim ai që t’i kishte këto sprova. Se ne shqiptarët, një pjesë e jona e kanë një problem, sa mirë iu bë atij se kushedi çfarë zullumi ka bërë thonë… ky person nuk hyn tek kjo.
Gjithsesi, fëmijët që ndërrojnë jetë të vegjël, do të shkojnë në xhenet. Prindërit që do të durojnë këtë sprovë, do të shkojnë në xhenet. Çdo gjë bëhet brenda urtësisë së Zotit. Në Ditën e Gjykimit, njerëzit do të dalin para Tij.
Zoti do të thotë, “çohuni për të shkuar në xhenet, ata që janë sprovuar”. Fillon atyre u jep begati e begati derisa hyjnë në xhenetet e përjetshme. Njerëzit që nuk janë sprovuar, do të thonë, “O Zot, pse nuk na sprovove me sprova të rënda në jetën e asaj bote”.
Pra njerëzve që i vijnë sprovat, i durojnë, i kalojnë dhe mbështeten tek Zoti, se fundja çfarë bën sprova, të bën më të mirë, të farkëton. Kur ke sprova, mendon dhe më shumë për njerëzit, se kur je vetëm mirë, mendon që nuk ka asnjë të sëmurë, asnjë që nuk ka probleme. Pse agjërimi e ka këtë efekt? Kur ty të haet ushqimi gjatë ditës, ti mendon për të varfrit, por nëse ti ushqehesh gjithmonë, ti kujton se të gjithë po ushqehen…
Ne normalisht që nuk e kërkojmë sprovën…
Patjetër, neve lutemi që të mos kemi sprova
Kam përshtypjen se kërkimi i sprovës ka brenda një lloj arrogance apo mendjemadhësie kur e kërkon vetë…
Elvisi: Do të të them një sekret. Nuk ka çast që njeriu nuk është i sprovuar. E di kush është sprova më e madhe? Sprova më e madhe është kur ke gjithë këtë botë në dorën tënde… se ne mendojmë që sprovë është kur je i varfër, kur nuk ke para, kur je i sëmurë. Kjo quhet sprovë e lehtë në Islam. Kur je i sëmurë, nuk ke çfarë bën, do t’i drejtohesh Zotit. Kur je i varfër, do të rrish i tërhequr. Sprovë reale në Islam është, kur sa më shumë ke, aq më shumë je i sprovuar. Prandaj kur kemi të mira, ne mendojmë se nuk po sprovohemi, por në fakt këtu po sprovohemi. Si do e menaxhojmë ne të mirën. Nëse ti ke të mira dhe je modest, i shpërndan ato, ke të mira dhe ke njerëzillëk, siç duhet, si psh Profeti Sulejman, profetët kanë patur gjithë botën në dorë…
Pejgamberi para se të vdiste, ishte i sëmurë, mezi doli në xhami për t’u falur. Të gjithë u gëzuan. Çfarë tha në fjalimin e vet. U tha, “o shokët e mi, unë do të iki, ju pres në Haud (burimi që do të pijë ujë njerëzit në Ditën e Gjykimit).
U tha, “po ju them që ju e duruat varfërinë” dhe parashikoi me profeci “do ju hapen shumë vende dhe do ju vijnë shumë pasuri, këtu e kam frikën për ju….” Varfërinë popujt përpara e kanë kaluar, në pasuri kanë rënë.