Publikohen të dhënat e censit: Shqipëria ka 2.4 mln banorë dhe mbi 755 mijë familje

Pas afro një viti nga zhvillimi i saj, janë publikuar tanimë rezultatet e Censit të Popullsisë dhe Banesave në të gjithë territorin e Shqipërisë. Shqipëria rezulton të ketë zyrtarisht 2,412,113 banorë.

Numri i familjeve që jetojnë në Shqipëri është 755 950, me një madhësi mesatare prej 3.2 anëtarësh për familje.

Të dhënat u bënë të ditura përmes një konference për shtyp, prezantuar nga drejtoresha e INSTAT Elsa Dhuli. Ajo shtoi më tutje se nga censi ka rezultuar se në vend numërohen 1,082, 529 banesa.

Sipas të dhënave të mbledhura nga censi, rënia e popullsisë krahasuar me censin e vitit 2011, është 13.8%.

Shqiperia eshte tkurrur gjate dekades se fundit

 “Ky cens, vlerësoi në territorin shqiptar në datë 18 shtator 2023, 2 412 113 banorë, të cilët përbëjnë 755 950 familje, me madhësi mesatare 3.2 anëtarë për familje, të cilët jetojnë në 1 082 529 banesa të zakonshme”.-tha Dhuli.

Ajo më tutje shtoi se kryerja e Censit është dhe një kusht tanimë i plotësuar për negociatat për hyrjen në BE.

 “Aplikuam teknologji dhe ndeshëm sfida në marrjen në informacionin në terren. Kemi punuar me seriozitet. Siguria që të dhënat të jenë të mbrojtura ishte një sfidë. Përdorëm një sistem gjeo-hapsinor të digjitalizuar dhe metodologjitë ishin të harmonizuara me standardet”, tha ajo