Punonte si roje bregdetare në Kretë: 20 vjeçari shqiptar rrihet për vdekje nga disa persona

Një 20 vjeçar shqiptar i identifikuar si Orgito Lloci, ka gjetur vdekjen në Kretë të Greqisë fqinje, fill pas një sherri me disa persona.

Media vendase raporton se për vdekjen tragjike të të riut që punonte si roje bregdetare, u arrestuan 5 të rinj, dy 24 vjeçarë grekë, një shtetas nga Gjeorgjia, një nga Bullgaria e një tjetër nga Rumania. Këta tre të fundit u liruan nga autoritetet pasi nuk u gjet asnjë element për përfshirjen e tyre në sherr. Dy të rinjtë grekë qëndrojnë ende të burgosur, si të dyshuarit kryesorë deri më tani.

Sherri mes këtyre të fundit dhe 20 vjeçarit është ende i paqartë, ndërsa autoritetet zhvillojnë hetime. Një autopsi është urdhëruar për të kuptuar se si ka ndërruar jetë 20 vjeçari shqiptar.

Nga të dhënat e marra nga dëshmitarët okularë dhe banorët e zonës në sheshin Kalyvon, 20 vjeçari shqiptar është rrahur me grushte nga disa të rinj. Në një moment ai ka arritur të shkëputet nga sherri, ka ecur disa metra në gjendje të rëndë dhe më pas është rrëzuar në tokë.

Pavarësisht mbërritjes së urgjencës dhe dërgimit të tij në spital, mjekët nuk kanë mundur t’i shpëtojnë jetën 20 vjeçarit.

Kryetari i shoqatës së dyqaneve e bisneseve atje, tha për mediat greke se personat që e goditën shqiptarin janë me precedentë kriminalë.

“Ky incident është rezultat i mungesës së policisë në zonën tonë prej shumë kohësh. Personat konkretë që rrahën dhe vranë fëmijën ishin të njohur për të gjithë, Policinë, Bashkinë dhe banorët. Fakti është se nuk kontrollohet kush hyn dhe kush del në ishull dhe kjo ka sjellë vdekjen e fëmijës që mund të ishte fëmija im apo ndonjë banor”.

Ai tha se disa nga këta persona kanë punuar së bashku me të riun shqiptar.

“Fëmija ishte një shqiptar i brezit të dytë, kishte ardhur në ishull nga Athina nga një zyrë për të punuar në një hotel. Disa nga të përfshirët punonin në të njëjtin hotel. Ata më duket se i kane vjedhur portofolin, ai i rrahu, por ata thirrën të tjerë për ndihmë dhe e rrahën derisa vdiq. Në vendin ku ka ndodhur ngjarja nuk ka pasur njerëz, prandaj askush nuk ka reaguar. Kur njerëzit reaguan, autorët ishin larguar”.