Qajnë për vëllanë me leuçemi, vëllain që i rriti… djemtë në lot: Kemi frikë se Amarildo nuk vjen më

Prej afro 5 muajsh, shtëpia është thuajse bosh gjatë gjithë ditës. Babi Behari e nëna Kadifja janë në spital ose punë. Në këtë shtëpi të vogël, dy janë frymët. Ajo e Marjanos 13 vjeçar e të vëllait të vogël, Ledianit 9 vjeç.

Dy vëllezërit shpesh e gjejnë veten duke qarë, të mbushur plot prej mallit për vëllain e madh, Amarildon. Sot e 5 muaj, Amarildo ndodhet spitaleve, me një sëmundje që po e gërryen, me një leuçemi agresive që ia merr jetën.

Marjano bëhet i fortë kur rrëfen fatkeqësinë që ka rënë në shtëpinë e tij. Rreket dhe ai të marrë përsipër përgjegjësinë, barrën që dikur e mbante Amarildo, vëllai i madh që u kujdes ta rriste atë dhe Ledianin.

“Shtëpia është bosh pa atë. Kur nuk ishte mami e babi, gjithçka e bënte ai. Më mungojnë ato mëngjese kur na çonte në shkollë me vëllain e vogël. Tani shkojmë vetëm. Kur luanim të gjithë bashkë… i shikoj çantën. Që prej 5 muajsh nuk ka qenë në shkollë. Të gjithë më pyesin, ku është Amarildo, na ka marrë shumë malli.”-thotë Marjano 13 vjeçar.

Nga ana tjetër, në portretin e Ledianit të vogël sheh menjëherë kristale… lotët rrëke që nuk ndalojnë si rrjedha e një lumi. Sesa e ka marrë malli këtë vogëlush për të vëllanë që gatoi për të, i bëri gati rrobat, e mori për dore dhe e çoi në shkollë.

“Unë e dua shumë Amarildon (qan). Dua që të më çojë prap tek shkolla. Mua më merr shumë malli për atë.”-thotë me lotët që nuk i pushojnë, Lediani 9 vjeçar.

Edhe Marjano, i mbushur në trishtim, i lëshohet lotëve. E djeg malli, e tmerron frika se mos një ditë si natën e vitit të ri, u vjen ndonjë tjetër lajm i hidhur.

“Mami edhe babi janë me të në spital, ne rrimë vetëm këtu… sepse e dimë që Amarildo ka nevojë më shumë nga të gjithë. Kam frikë se moë më ikën vëllai (qan)….”-thotë mes lotëve 13 vjeçari.

Donate Button