Qetësohen revoltat në Francë, policia arreston 150 persona ndërsa një zjarrfikës humb jetën

Revoltat në Francë duket se po qetësohen pas 6 ditësh protestash të dhunshme që nisën fill pas vdekjes së një 17 vjeçari të qëlluar me armë nga një oficer i patrullës rrugore.

Gjatë mbrëmjes së të dielës, policia arrestoi më shumë se 150 persona, ndryshe nga mbrëmja e pardjeshme kur në pranga përfunduan mbi 700 vetë. Po të dielën, një zjarrfikës 29 vjeçar humbi jetën tragjikisht teksa po tentonte të fikte flakët në disa makina që ishin vënë në zjarr nga protestuesit.

Përgjatë ditëve të fundit edhe familje e Nahelit, 17 vjeçarit të vrarë që u bë shkëndija e revoltave mbarëpopullore, bëri thirrje që të ndalohet dhuna gjatë protestave.

Kryetarët e komunave e bashkive në Francë u kanë bërë thirrje qytetatëve që të dalin në demostratë këtë të hënë, për të protestuar kundër dhunës e vjedhjeve të shumta që kanë ndodhur përgjatë këtyre ditëve të turbullta e kaotike për të gjithë Francën.

Natën e djeshme, 297 makinave u është vënë zjarr, përfshi këtu edhe 34 ndërtesa. Numrat janë ulur, nëse i krahasojmë me ditën e enjte të revoltave, ku protestuesit dogjën plot 1900 makina dhe tentuan t’i vënë flakën 500 ndërtesave.

Për BBC-në dhanë prononcime disa nga familjarët e adoleshentit të ndjerë të cilët kërkuan që vdekja e të dashurit të tyre, të mos përdoret për revolta e vjedhje. Ata insistuan që ligji për përdorimin e forcës nga ana e policisë do duhej ndryshuar.

Gjyshja e 17 vjeçarit veçanërisht, tha se “ishe zemërthyer” kur pa se një faqe “gofundme” ishte ngritur për oficerin që i vrau nipin e ku ishin mbledhur afro 923,000 euro. Ajo shtoi po për BBC-në, që vdekja e nipit të saj të mos përdoret si justifikim për shkatërrimin e pronës publike.

Burimi: BBC/ Përshtati: FCH.al