Qeveria e Kosovës shpall dy grupe serbe në veri të vendit si “organizata terroriste”

Qeveria e Kosovës ka shpallur si organizata terroriste dy grupe serbe që operojnë në veriun e vendit e që quhen “Mbrojtja Civile” e “Brigada e Veriut”

Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme të Qeverisë. Kryeministri Kurti deklaroi se këto organizata paraqesin rrezik për sigurinë dhe rendin e Kosovës.

“Bazuar në vlerësimet institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës formacionet civile mbrojtjen Civile” (Civilna Zashtita) dhe komponenta e saj “Brigadën e Veriut” (Severna Brigada), paraqesin kërcenim serioz dhe të drejtpërdrejtë për rendin kushtetues dhe sigurinë e Republikë së Kosovës.

Duke u nisur që kërcënimi ndaj rendit kushtetues e juridik është i pakompromis, e duke pasur për qëllim mbrojtjen e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim nga veprimet me elemente terroriste, duke përfshirë por duke mos u kufizuar në sulmet e armatosura ndaj Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it, sulmeve ndaj qytetarëve e kundërshtarëve politikë, thirrjeve për rezistencë dhe mosbindje, shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm, edhe përmes zjarrëvënies së pronës publike e private, pengimi i lëvizjes së lirë, detyrimi i qytetarëve për pjesëmarrje në protesta, barrikada dhe forma të tjera të rezistencës, organizimi dhe pengimi i zbatimit të vendimeve të institucioneve të vendit, rekrutimi dhe trajnimi i pjesëtarëve për përdorimin e armëve dhe metodave luftarake në baza ushtarake në Serbi, me qëllim kryerjen e sulmeve ndaj institucioneve vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë, kanosja dhe frikësimi i qytetarëve në veri të vendit, subjekteve politike e kandidatëve me qëllim tërheqjen nga procesi zgjedhor dhe parandalimin e pjesëmarrjes në zgjedhje, ‘Mbrojtja Civile’ dhe ‘Brigada e Veriut’, shpallen organizata terroriste në Republikën e Kosovës”, është shprehur Kurti.

Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, deklaroi se po punohet për të identifikuar dhe reaguar kundër kërcënimeve që vijnë nga këto dy grupe.

 “Në kuadër të mandateve përkatëse, institucionet relevante kanë identifikuar disa grupe terroriste që janë duke kryer veprime të drejtpërdrejta terroriste ndaj Kosovës. Këto grupe ndër vite janë toleruar. Për më shumë se 2 vjet, vendimet tona të ligjshme janë sfiduar me barrikada, sulme të armatosura ndaj pjesëtarëve të Policisë, sulme ndaj objekteve shtetërore, sulme ndaj kundërshtarëve politikë, sulme ndaj gazetarëve dhe të ngjashme. MPB-ja është angazhuar në identifikimin e këtyre personave që kanë shkaktuar vepra penale”, tha Zveçla.