Qindra qytetarë të Kosovës bllokohen nga Serbia në kufirin me Kroacinë

Anëtarësimi eventual i Kosovës në KiE dhe dështimi i plotë për ta ndaluar të ndodhë, duket se ka nervozuar së tepërmi Serbinë. Duke filluar nga orët e vona të mbrëmjes së djeshme, pak orë pasi asambleja parlamentare e Këshillit të Evropës votoi pro anëtarësimit të Kosovës, autoritetet serbe në kufi kanë ndaluar autobusët e operatorëve kosovarë, të cilët kalojnë transit nëpër territorin serb.

Ministria e Punëve të Jashtme në Kosovë njoftoi se disa autobusë janë bllokuar në kufirin mes Kroacisë e Serbisë nga ana e këtyre të fundit, e se madje qytetarëve i janë marrë dokumentet personale si dhe ato të autobusëve, duke mos i lënë kësisoj as të kalojnë e as të kthehen prapa.

Njëjtë ka ndodhur edhe në pikat kufitare me Hungarinë, konkretisht në Shid e Suboticë. Mbi këtë situatë, e cila dukshëm ka për qëllim krijimin e një krize artificiale, autoritetet e qeverisë së Kosovës kanë njoftuar shtetet e QUINT-it, institucionet e BE-së dhe të tjera institucione ndërkombëtare.

Më poshtë njoftimi i plotë i Ministrisë së Jashtme të Kosovës

Më 16 prill, në orët e vona, pak orë pas votimit në favor të Kosovës të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, institucionet tona janë njoftuar, që në vendkalimin kufitar Kroaci-Serbi, në Batrovci, autobusë të operatorëve të ndryshëm të Republikës së Kosovës, të cilët duhej të kalonin tranzit nëpër Serbi, ishin ndaluar nga autoritetet kufitare të Serbisë.

Qytetarët e Kosovës që po vinin në drejtim të Kosovës janë ndaluar edhe në kufirin me Hungarinë, në pikat kufitare në Shid dhe Suboticë, te vendkalimi kufitar Dheu i Bardhë dhe nuk po lejohen as të lëvizin përpara dhe as të kthehen pas.

Për më tepër, të gjithë udhëtarëve u janë marrë dokumentet personale si dhe ato të autobusëve. Po ashtu, disa prej tyre janë marrë dhe po vazhdojnë të merren në pyetje.

Pas veprimeve arbitrare të Serbisë, institucionet tona, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar shtetet e KUINT-it, Institucionet e BE-së dhe të tjera ndërkombëtare rreth kësaj situate dhe presim që kjo situatë të përfundojë shpejtë.

Apelojmë tek të gjithë bashkatdhetarët dhe qytetarët që janë në lëvizje të evitojnë me çdo kusht kalimin nëpër Serbi dhe të ndjekin me vëmendje situatën.

Duke marrë parasysh faktin që në qarkullim janë shumë lajme të rreme, të cilat synojnë përhapjen e frikës dhe kaosit, ju lusim të ndiqni @Kosovo_Police rreth përditësimeve më të fundit zyrtare në këtë drejtim.

Ky veprim hakmarrës, i paralajmëruar para pak ditësh nga vet presidenti i Serbisë Vuçiq, i cili vjen pas dështimit të propagandues kundër anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës, duhet të marrë urgjentisht përgjigjen e merituar nga bashkësia ndërkombëtare.